Lajme

Prezantohet hulumtimi “Diversiteti dhe Barazia në Kosovë”


Zyra e Kryeministrit ka organizuar “Promovimi i Diversitetit dhe Barazisë për Ballkanin Perëndimor” në mbështetje të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, për të cilën është mbajtur konferencë për prezantimin e gjetjeve të hulumtimit “Diversiteti dhe Barazia në Kosovë”.

Konferenca të cilën e ka drejtuar Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se hulumtimi është bërë për të ditur se në çfarë niveli është diskriminimi, cilat janë kategoritë dhe shtresat më të prekura nga diskriminimit.

Hulumtimet tregojnë se shumica e të anketuarve besojnë se në Kosovë diskriminimi është i pranishëm.

52 për qind e minoriteteve të Kosovës kanë thënë se diskriminimi ishte i pranishëm në masë të madhe, ndërkohë që 29 për qind e serbëve ndajnë të njëjtin mendim.

Një numër i barabartë i qytetarëve kanë deklaruar se diskriminimi mbizotëron në baza gjinore dhe etnike. Kurse shumica e grave besojnë se diskriminimi kryesisht ndodh mbi baza gjinore

Nga sferat me mbizotërim më të madh të diskriminimit konsiderohet punësimi me 59 për qind.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilja Rexhepi, ka theksuar se prioritet i qeverisë është mbrojtja e të drejtave të njeriut, dialogu ndëretnik midis të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, që duhet të  bazohet në barazi dhe bashkëjetesë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, religjionin, gjuhën etj.

“Asnjë popull nuk duhet të jetë i diskriminuar, për shkak se është më ndryshe”, tha Rexhepi, duke shtuar se do të përkushtohet në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Nga një fjalë rasti në këtë konferencë patën edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Këshilli i Evropës dhe ai i Avokatit të Popullit.

Ky hulumtim përfshin 1065 intervista individuale në 38 komunat e Kosovës dhe e matë perceptimin e përgjithshëm të popullatës në Kosovë lidhur me diversitetin dhe ndikimin e pandemisë së COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore