Lajme

Presidenti Lukashenko: Ushtria ime do kryejë stërvitje të përbashkët ushtarake me Rusinë


Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka njoftuar të hënën e 17 janarit se ushtria e tij do të kryejë stërvitje ushtarake muajin e ardhshëm me forcat ruse.

Ai u ka kërkuar zyrtarëve ushtarakë që të përcaktojnë një datë, për t’u dhënë fund zërave që thonë se janë duke u përgatitur për luftë.

“Ne kemi bërë plane-stërvitjeje ushtarake disa kohë më parë. Ju lutemi, caktoni një datë specifike dhe shpalleni atë, në mënyrë që askush të mos na akuzojë se kemi grumbulluar trupa papritur dhe se jemi pothuajse gati për të shkuar në luftë”, ka thënë udhëheqësi bjellorus.

Ky njoftim vjen në një kohë që tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur muajt e fundit mbi sigurinë e Ukrainës.

Moska ka vendosur dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën, ndërsa ka kërkuar garanci që fqinji i saj dhe shtetet e tjera ish-sovjetike të mos pranohen kurrë në NATO.

Lukashenko tha se planet e tij për stërvitjet me Rusinë ishin bërë në dhjetor, në koordinim me aleatin e tij, presidentin rus, Vladimir Putin, por nuk ishin njoftuar në atë kohë.

Ai nuk specifikoi se sa trupa do të përfshiheshin.

Nga ana tjetër, akuzoi Ukrainën për grumbullimin e mijëra trupave, pa dhënë prova për pretendimet e tij.

Ai tha se Varshava kishte kërkuar nga NATO vendosjen e “një rrjeti me shumë nivele logjistike, furnizimi dhe mbështetjeje teknike”.

Rusia ka mohuar që vendosja e saj e trupave pranë Ukrainës është stërvitje për një sulm tokësor dhe ka akuzuar NATO-n për shkeljen e kufijve të saj.

Nga ana tjetër, Rusia ka kërkuar që blloku i mbrojtjes, i cili udhëhiqet nga Washington-i të mos pranojë asnjë anëtar të ri, duke përmendur veçanërisht Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të quajtura United Resolve, do të zhvillohen pasi Rusia gjithashtu vendosi forca përgjatë kufirit lindor të Ukrainës, duke kërcënuar një pushtim të mundshëm që mund të çojë në konfliktin më të madh në Evropë për dekada.

Në videot e postuara në mediat sociale nga Bjellorusia shfaqen artileri dhe automjete të tjera ushtarake, që mbërrinin në pronësi të kompanisë shtetërore ruse.

Alexander Volfovich, kreu i Këshillit të Sigurisë së Bjellorusisë, në një konferencë tha se trupat tashmë po mbërrinin përpara stërvitjeve të planifikuara për në shkurt.

Marrë nga “The Defense Post”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore