Lajme

“Premtimet e Kurtit i ka marrë era”


Gjatë ditës së mërkurë, Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka organizuar një aktivitet, duke lëshuar fenerë me mbishkrim, me premtimet e kryeministrit Albin Kurti, për çështjen e dialogut me Serbinë.

Para Qeverisë së Kosovës, aktivistët e PSD-së kanë lënë të lirë fenerët në ajër. Akti simbolik i lëshimit të fenerëve në ajër, sipas tyre, përkon me premtimet e Kurtit. Ata thonë se premtimet e të parit të ekzekutivit i mori era.

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, tha se i vetmi ndryshim që po vërehet këto kohë është gjuha e tyre.

“E kemi dëgjuar tash së fundmi deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili thotë se janë pajtuar me të gjitha marrëveshjet përveç targave KS. Praktikisht është pranuar procesi, janë pranuar kornizat, dhe brenda këtij diskutimi nuk ka ndonjë diferencë nga ajo çfarë deri më tani kanë bërë pushtetet e kaluara”, ka thënë aktivistja.

Ajo ka theksuar se e vetmja gjë që e dallon nga qeverisjet e kaluara është ndërrimi i gjuhës.

“Çka dallon prej pushteteve të kaluara e që duhet me u vendosë në spikamë është në fakt ndërrimi i gjuhës. Përveç kësaj, sa herë që një pushtet tenton me luajt me gjuhë e terminologji, aty gjithmonë mbrapa është duke u fshehë diçka”, tha ajo.

Po ashtu, Rrusta ka deklaruar se as kjo qeveri nuk qëndron më mirë në këtë aspekt nga qeveritë e kaluara.

“Kjo kritika që nuk është dialogu transparent nga opozita e kaluar tash në pushtet çka po shohim është që, këta janë edhe më keq në këtë pikë. Praktikisht, ne i kemi vetëm disa intervista shumë të rralla dhe mirë të kontrolluara për të parë se çka del prej diskutimeve të Qeverisë për dialogun”.

Më tej, ajo ka thënë se për të bërë marrëveshje me shtetin e Serbisë, përveç që duhet me qenë kreativ në këtë çështje, duhet me qenë edhe i guximshëm e këtë e ka Kurti sipas saj.

“Ne kemi radhitur një varg parimesh që Kurti i ka vendosur më herët për procesin e dialogut, prej reciprocitetit, kërkim faljes, riparimin e dëmeve të luftës e një varg temash të cilat tashmë ai nuk i ka fare parime. Ne duam të themi përmes këtij altiteti me fener që premtimet e Kurtit i ka marrë era”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore