Lajme

Portreti ikonik i Marilyn Monroe shitet për 195 milionë dollarë


Portreti i Marilyn Monroe nga artisti Andy Warhol ka thyer rekorde: u shit për 195 milionë dollarë në New York në më pak se katër minuta.

“Shot Sage Blue Marilyn” është bërë kështu vepra më e shtrenjtë e artit të shekullit të XX-të që është shitur ndonjëherë.

Sakaq, rekordi i mëparshëm është vendosur në vitin 2015, kur një pikturë e vitit 1955 nga Pablo Picasso, “Les Femmes d’Alger”, u shit për 179.4 milionë dollarë.

Po ashtu, është kthyer në veprën më të shtrenjtë të një artisti amerikan që shitet në ankand.

Më parë, rekordi mbahej nga një pikturë e vitit 1982 nga Jean-Michael Basquiat, bashkëpunëtor dhe rival i Warhol-it, e cila u shit për 110.5 milionë dollarë në vitin 2017.

Blerësi, referuar raportimeve, është Larry Gagosian, një tregtar arti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pronar i një zinxhiri galerish.

“Shot Sage Blue Marilyn” është një nga një seri portretesh që Warhol i bëri Monroe pas vdekjes së saj.

Shitja e saj theu edhe rekordin e mëparshëm të vet Warhol në vitin 2013 të një vepre tjetër të shitur për 105.4 milionë dollarë.

“Shot Sage Blue Marilyn është kulmi absolut i pop-it amerikan”, ka thënë eksperti Alex Rotter.

“Piktura kapërcen zhanrin e portretit, duke zëvendësuar artin dhe kulturën e shekullit të XX-të”, ka vijuar ai.

“Shot Sage Blue Marilyn” është mbajtur në koleksionin e tregtarëve zviceranë të artit, Thomas dhe Doris Ammann.

Në fillim të këtij viti, George Frei, kryetar i bordit të Fondacionit Thomas and Doris Amman, ka thënë se piktura dëshmon për fuqinë vizuale të pazhdukshme të Monroe në mijëvjeçarin e ri.

“Marilyn është zhdukur, rrethanat e tmerrshme të jetës dhe vdekjes së saj harrohen.

Mbetet vetëm buzëqeshja enigmatike që e lidh atë me një buzëqeshje tjetër misterioze të një zonje të shquar, Mona Lisa”, ka shtuar ai.

Për sa u përket të ardhurave nga shitja, ato do t’i shkojnë Fondacionit Thomas and Doris Ammann, me qendër në Cyrih, i cili punon për të krijuar programe të kujdesit shëndetësor dhe arsimor për fëmijët në mbarë botën.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore