Lajme

Populli indian dënon vrasjen e 9-vjeçares dhe heshtjen e qeverisë


Protestat në Delhi.
Problemet e Indisë me vrasjet dhe dhunën ndaj grave vazhdojnë të ndodhin. Me sa duket, efektet për të ndalur një hov të tillë po rezultojnë të pasuksesshme.

I tillë ishte edhe një nga rastet e fundit që bëri bujë jo vetëm në Indi, por edhe më gjerë, teksa u raportua për një rast të vrasjes së një vajze nëntë vjeçe në Delhi.

Protestat në Indi për vrasjen e 9-vjeçares.

Revolta e popullit indian ishte e madhe karshi këtij rasti, por edhe ndaj heshtjes së qeverisë së Indisë, fakt që çoi në protesta disa ditore.

Bashkë me popullin indian, pjesë e protestës ishin edhe Rahul Gandhi nga opozita e Parlamentit, si dhe Mayawati, një politikan i shquar.

Politikanët e tjerë nuk kanë marrë pjesë në protestë, por kanë kërkuar veprime nga ministri i Brendshëm, Amit Shah.

Ndërkohë, asnjë politikan apo ministër i partisë në pushtet nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë shqetësimi.

Kreu i qeverisë krahinore të Delhit, Arvind Kejriwal, i cili gjithashtu drejton një parti opozitare, urdhëroi një rishikim gjyqësor të çështjes. Ai bëri thirrje që qeveria qendrore të veprojë kundër krimit.

“Avokatët e lartë do të angazhohen për të dënuar fajtorët”.

“Qeveria qendrore duhet të marrë hapa të rreptë për të përmirësuar rendin dhe ligjin në Delhi, ne do të bashkëpunojmë me ta”, shkroi Kejriwal në Twitter.

Duke iu përgjigjur pakënaqësisë civile, Komisioni Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka kërkuar një raport policor brenda 48 orëve.

“Komisioni i Delhit për Gratë” ka thirrur policët për të shpjeguar se çfarë veprimi kanë ndër mend të ndërmarrin.

Në anën tjetër, për rastin e dhunimit të vajzës nëntë-vjeçare, “neverinë” e tyre e kanë e kanë shfaqur në rrjete sociale edhe disa prej të famshmëve të Bollywood-it.

Detajet e tmerrshme të çështjes kanë tmerruar indianët, duke pasqyruar zhgënjimin e tyre për dhunën seksuale ndaj grave, e cila në bazë të statistikave sa vjen dhe rritet.

Policia ka pohuar se vajza, e cila i përket një familjeje të Dalit (kastë të ulët), u vra pasi ajo shkoi të merrte ujë nga një krematorium pranë shtëpisë së saj, në zonën e Kantonit të qytetit.

Familja e saj u tha mediave se autorët e kanë djegur trupin e saj, në mënyrë të pamëshirshme.

“Katër burra janë arrestuar në lidhje me vrasjen e vajzës”, tha Ingit Pratap Singh, oficeri i lartë i policisë në jug-perëndim të kryeqytetit, ku ndodhi krimi i supozuar.

“Ata përballen me akuza për vrasje, përdhunim dhe kanosje penale”, shtoi ai.

Prindërit e vajzës pretendojnë se “katër punonjës të krematoriumit e përdhunuan dhe e vranë vajzën”.

Kur nëna pa trupin e të bijës, katër burrat thanë se ajo aksidentalisht ishte goditur nga rryma elektrike pranë rubinetit të ujit.

Po ashtu ata e paralajmëruan që të mos e raportonte vdekjen në polici.

Edhe pse jo menjëherë, ajo prishi “marrëveshjen” me autorët e dyshuar dhe vdekjen misterioze të së bijës e deklaroi në policinë e vendit.

Sidoqoftë, mjekët që kryen autopsinë kanë deklaruar se, “zjarri e bëri të pamundur që ata të përcaktojnë shkakun e vdekjes”.

Protestat në Indi për vrasjen e 9-vjeçares.

Qindra njerëz kanë protestuar që nga incidenti, duke bllokuar rrugët dhe duke kërkuar llogari për vdekjen.

Djegia e detyruar ka zgjuar kujtimet e një përdhunimi në grup, shtatorin e kaluar, në Hathras, Uttar Pradesh.

Në atë kohë një gruaje dalitase, viktimë e një sulmi nga burrat e kastës së lartë, iu dogj kufoma natën nga policia pa pëlqimin e familjes.

Gushtin e kaluar, Rajesh Roy, 24 vjeç, u arrestua në shtetin e Uttarakhand për përdhunimin e një gruaje të re.

Ai u lirua me kusht nga një gjykatë, pasi ra dakord të martohej me viktimën e tij dhe të dy familjet ranë dakord për martesën si një mënyrë për të ruajtur “nderin” e tyre.

Në qershor, ata e çuan gruan e tij në një “pushim”, në qytetin turistik të Himalajeve dhe dyshohet se e shtynë atë nga një shkëmb për vdekje.

Ndërsa qëndrimet e vjetra mbeten, dhuna vazhdon!

Rreth 34 mijë përdhunime u raportuan në Indi vetëm në vitin 2018.

Ky realitet në shtetin indian, po bën që aty të zhvillohen protesta herë pas here.

Sa i përket rastit të fundit, protestuesit nga grupi i Azad kanë kërkuar që dënimi të jetë i shpejtë për autorët e vrasjes dhe, po ashtu, familja të kompensohet me 1 milion rupi.

Ndërsa njërit nga anëtarët e familjes së vajzës t’i sigurohet një punë qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore