Lajme

Polonia dhe Bullgaria me sytë nga Moska për gazin


E mërkura nuk është një ditë e mirë për dy vende nga Evropa Lindore pjesë e Bashkimit Evropian dhe shkak për këtë, është frika e kahershme se Rusia, mund të ndërpresë furnizimin me gaz nga gjigandi rus Gazprom.

Sektori energjetik, është edhe një prej armëve, të cilat Rusia ka zgjedhur të përdorë sa i përket situatës së pushtimit ukrainas.

Polonia dhe Bullgaria, prej ditës së sotme, mund të mbeten pa furnizim të gazit natyror rus!

Vetë grupi i gazit PGNiG në Poloni, i cili kontrollohet nga shteti, paralajmëroi se Moska, në një mënyrë tërësisht të beftë, i kishte njoftuar vetëm një ditë përpara, se furnizimi me gaz do të ndërpritej më 27 prill prej orës 08:00 me atë lokale polake, nën kontratën efektive “Yamal” të nënshkruar prej dy palëve.

Në orët e vona të së martës, ishte Ministria bullgare e Energjetikës, ajo e cila dha të njëjtin lajm: Bulgargaz, nuk do të merrte më furnizim prej së mërkurës.

Nga vetë Sofja, u tha se ishin marrë masa për të zgjidhur problemin, nëpërmjet alternativave të tjera. Marrëveshje sipas tyre, për furnizimin me gaz nga vende të treta janë kryer, por asgjë specifike nuk u bë publike.

Polakët nga ana tjetër, nuk dihet si do të veprojnë. Ata janë shteti që ka mirëpritur më së shumti refugjatë ukrainas dhe kanë qenë të palëkundur në retorikën e tyre kundër agresionit. Ndaj, po vuajnë një pasojë të politikave të Vladimir Putinit, të cilat ai i ka bërë me dije që në fund të marsit.

Asokohe, Putini tha se vendet të listuara si “jomiqësore” nga Kremlini, do të duhet ta paguanin gazin e lëngshëm në rubla ruse, ose përndryshe kontratat do të ndërpriteshin.

Vendet perëndimore nuk e pranuan këtë kusht dhe Polonia ishte një prej tyre. Më 12 prill madje, PGNiG-ja nxorri edhe një njoftim për shtyp, ku thuhej se kishte refuzuar të pranonte dekretin e Kremlinit dhe çdo ndërprerje e furnizimit, do të ishte një shkelje e rëndë në kontratë.

Vetëm 10 ditë më vonë, situata është më se e ndjerë, jo vetëm për Varshavën, por edhe për Sofjen.

Me këtë të dytën, të cilës duket se nuk i intereson së tepërmi mbi ndërprerjen ose jo, pasi ka gjetur burime të tjera furnizimi, fati i Polonisë, mbetet më shumë se i paqartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore