Shqipëria

Policia shoqëron 32-vjeçarin në komisariat, ndërron jetë pas problemeve shëndetësore


Një incident është regjistruar në orët e mbrëmjes të 19 tetorit ku një shtetas 32-vjeçar ka humbur jetën pasi u shoqërua në komisariat.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas AMP-së, fillimisht rreth orës 23:07 ky shtetas nuk i është bindur thirrjes për kontroll të efektivëve në rrugën “Riza Cuka”.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap.

Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”.

Kjo, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

“Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”, vëren AMP-ja.

Kjo instancë ka nisur menjëherë hetimet së bashku me Prokurorinë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sakaq, po kryhen edhe ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore