Lajme

Policia: Po hetojmë intensivisht identifikimin e personave të dyshuar në Veri


Policia e Kosovës, foto nga arkivi.

Policia e Kosovës lidhur me zhvillimet aktuale në Veri, ka thënë se në vazhdimësi është duke përcjellur dhe vlerësuar situatën e sigurisë.

Përmes një komunikate për media nga Policia është thënë se janë duke hetuar identifikimin e personave të dyshimtë në Veri të cilët kanë sulmuar policin me armë mbrëmjen e të enjtes, e po ashtu edhe gazetarët të premten.

“Si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj njësitit policorë, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës ishte plagosur, i cili pas trajtimit mjekësorë është në gjendje të mirë shëndetësore. Në rastet tjera nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara në objekte dhe automjete”.

“Policia e Kosovës, është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprat e tilla kriminale si dhe  sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, është thënë nga Policia.

Nga ky institucion është potencuar se situata vazhdon të jetë stabile.

Policia e Kosovës, foto nga arkivi.

Mirëpo, pavarësisht sulmeve të fundit Policia ka theksuar se do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në orën e 23-të të së enjtes, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Vetura u dëmtua shumë dhe një polic u plagos, gjendja shëndetësore e të cilit është stabile.

Ndërsa, të premten është sulmuar edhe një ekip i gazetarëve, për të cilët nga Policia kanë deklaruar për Albanian Post se rasti është regjistruar. 

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

Lista Serbe, si fuqia politike më e madhe nga komuniteti serb, doli nga institucionet me kërkesën që të anulohet vendimi.

Qeveria, pas thirrjeve nga aleatët ndërkombëtarë, pranoi ta shtyjë vendimin, me shpresë se i hap rrugë bisedimeve për zgjidhje përfundimtare,  por serbët nuk u kthyen më në institucione.

Tani është obligim kushtetues që të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore