Lajme

Policia për sulmin ndaj gazetarëve në Veri: Rasti është duke u regjistruar, s’dihen personat e dyshuar


Sulmi ndaj gazetarëve në Veri.

Akoma nuk dihet se kush kanë qenë personat e maskuar që kanë sulmuar gazetarët në Veri, por Policia e Kosovës pas këtij rasti ka nisur hetimet.

I kontaktuar nga Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Besim Hoti, deklaroi se aktualisht nuk ka shumë informacione lidhur me këtë rast.

“Rasti i gazetarëve është duke u regjistruar, momentalisht nuk dihen personat që kanë sulmuar gazetarët”, deklaroi Hoti për AP.

Edhe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka dënuar sulmin ndaj një ekipi të gazetarëve të mediumit Kallxo.com në veri të Mitrovicës, të premten.

Policia ne Veri.

Përmes një komunikate për media, ekipi i këtij mediumi është sulmuar nga një grup i maskuar i serbëve, “në afërsi të Shkollës Teknike”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për sigurinë e gazetarëve, pas sulmit këtë mëngjes të një ekipi të Kallxo.com në veri të Mitrovicës”.

“Vetura në të cilin po udhëtonin gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu u sulmua nga një grup i maskuar i serbëve, në afërsi të Shkollës Teknike”, thuhet në komunikatë.

AGK ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë për raportimin e gazetarëve nga kjo pjesë e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore