Lajme

Policia për vendosjen e bombës në objektin në Veri: Ka rezultuar që të jetë alarm i rrejshëm


Foto e njërit nga objektet në Veri.

Lajmi se një bombë është vendosur në një objekt në Veri të Mitrovicës, është demantuar nga Policia e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani.

Ai ka thënë se një lajmërim i tillë ka ardhur fillimisht në Polici për bombë në një objekt, por që rezultoi të jetë i rrejshëm.

“Jemi informuar për një bombë që është vendosur brenda një objekti në Mitrovicë, por që më pas ke rezultuar që të jetë i rrejshëm”, tha Elshani për AP.

Të premten e 25 gushtit, Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, kishte deklaruar se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

E as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian kishte dalur kundër këtij vendimi duke thënë se është në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore