Lajme

Policia në kërkim të trupave dhe armatimeve patrullon me njësitin e qenve në Banjskë


Foto: Albanian Post në Banjskë.

Policia e Kosovës është duke patrulluar me njësitin e qenve K9 në zonat malore të fshatit Banjskë të Komunës së Zveçanit, për të identifikuar trupa potencial të vdekur të grupit terrorist gjatë ikjes nga dita e dielë pas sulmit në Veri.

Po ashtu, ky patrullim me njësinë e qenve do të bëhet edhe për të parë nëse ka armatim tjetër që ky grup ka mundur ta lë pas në ikje e sipër.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Po ashtu, në përmasa tejet të mëdha për dy ditë policia kishte gjetur raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë e shumë armë të kalibrit më të vogël.

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?

Ndërsa, me 97 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten e 28 shtatorit kanë votuar Rezolutën për sulmin terrorist në Veri të Kosovës.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërteton, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia i publikuar nga Sveçla, dëshmon se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore