Shqipëria

Policia mohon rrjedhjen e të dhënave nga Memex, pa dhënë shpjegime


Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me një publikim nga grupi i hacker-ëve, të njohur si Homeland Justice, të cilët së fundmi kanë postuar në median e tyre Telegram një dokument, ku pretendohet se janë të dhëna mbi njerëz të dyshuar për hetime në Shqipëri.

Të ndarë në 49 dokumente të veçuar, secili mesatarisht me 300 identitete të shpalosur, mijëra të dhëna të shtetasve shqiptarë janë publikuar nga grupimi i njohur me emërtimin “Homeland Justice”, duke ngritur pikëpyetje të shumta për mbrojtjen e të dhënave në Shqipëri.

Gjithsesi, sipas forcave të rendit, sistemi Memex, ndër më të sofistikuarit të komunikimit të brendshëm të Policisë shqiptare, nuk është shkrepur.

Alarmin se të dhënat e publikuara nga Homeland Justice janë pjesë e sistemit Memex, e ka dhenë eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, i cili thekson se publikimi i informacionit kriminal i sistemit policor Memex, i publikuar nga hacker-ët iranianë, e vë në pikëpyetje të madhe sigurinë publike në vend.

Pavarësisht kundërshtimit të strukturat e rendit i bëjnë lajmit ndërkohë, një shpjegim se nga kanë rrjedhur dhe kujt sistemi i përkasin këto të dhëna, nuk jepet për mediat apo për opinionin publik.

Gjithçka bëhet me dije në njoftim, është fakti se së bashku me partnerët, po hetohet origjina e rrjedhjes së të dhënave.

Një thirrje, i bëhet ndërkaq mediave, për mospublikimin e të dhënave të dala nga dosjet me 1.7 gigabyte material, të cilat janë të aksesueshme në kanalin Telegram të Homeland Justice.

Bie sistemi më i sofistikuar i komunikimit policor – Homeland Justice vijon publikimet e materialeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore