Shqipëria

Policia e Shtetit u sekuestron rreth 5 milionë euro pasuri babë e bir


Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, Ardian Çipa, së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Kreshnik Ajazi, dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi dolën në konferencë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Illegal assets”.

Ata bënë me dije sekuestrimin e disa pasurive të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Sipas njoftimit, pasuritë e sekuestruara u përkasin shtetasve Mustafa Sharra dhe të birit të tij, Gentian Sharra.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u sekuestruan 1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë.

Gjithashtu u sekuestrua truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasit Gentian Sharra.

Pasuri të tjera të sekuestruara janë: Tokë arë me sipërfaqe 15 mijë e 680 m2  dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2, tokë arë me sipërfaqe 3533  m2, pasuri tokë arë me sipërfaqe 4 mijë e 170 m2, pasuri tokë arë me sipërfaqe 4 mijë 050 m2, pasuri tokë arë me sipërfaqe 3 mijë e 533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2 dhe ndërtesë, pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, të gjitha në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.

Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij.

Mësohet se babë e bir ranë në prangat e Policisë si rezultat i operacionit “Golden Bullet”.

Kujtojmë që gjatë operacionit Golden Bullet”, u lëshuan 32 urdhërarreste, nga të cilat u ekzekutuan 18.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore