Kosova

Policia në ‘luftë’ me banditët e armatosur – bilanci i përplasjes së policëve me grabitësit e argjendarisë në Suharekë


Foto: Albanian Post

Një grabitës i vrarë, një polic i plagosur dhe shtatë persona të arrestuar ka qenë bilanci i një operacioni të Njësisë Speciale të Policisë për lokalizimin e të dyshuarve për grabitjen e një argjendarie më 22 nëntor në Suharekë, derisa një i dyshuar është në arrati.

Me qëllim identifikimin e të dyshuarve, aksioni policor në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren është realizuar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe në fshatin Carralevë të Shtimjes.

Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar.

Organet e rendit kanë njoftuar se zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetë, derisa personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si vrasje, grabitje dhe vjedhje.

Ndërkaq në vendin e ngjarjes në lagjen “Dragodan” në Prishtinë, ku u vra njëri nga grabitësit është parë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha si dhe ekipet forenzikës, ku edhe janë konfiskuar armë e gjësende të tjera.

Grupi në përbërje prej katër personave dyshohet se kreu vjedhje mbi 250 mijë euro në një argjendari më 22 nëntor në Suharekë.

Arbër Bytyqi, pronari i argjendarinë “DIAKOS” në Suharekë kishte treguar ngjarjen që nga hyrja e plaçkitësit të parë në lokal e deri tek momenti kur i është drejtuar arma dhe lidhja e duarve nga plaçkitësit.

“Më është drejtuar me armë, ‘duart lartë, plaçkitje’, jam shtrirë për tokë, mi ka lidhë duart, kokën poshtë më thoshte ta mbajë, pastaj kanë vazhduar të thyejnë të marrin gjëra. I kanë marrë të gjitha çka kanë qenë të ekspozuara, të arit”, kishte rrëfyer ai.

“Ma kanë drejtuar direkt armën, jam dorëzuar dhe nuk kam reaguar, kokën poshtë ma kanë mbajtur, nuk kam parë më shumë”.

Albanian Post pati raportuar se dyshohet për një grup të përbërë nga ish-të burgosur me të kaluar kriminale të cilët janë liruar rishtazi nga burgjet e Kosovës dhe një pjesë tjetër nga persona që kanë marrë pjesë në luftëra në shtete të tjera jashtë Kosovës.

Nga pamjet ekskluzive që kishte publikuar AP, shihej se me t’u afruar dy policët që ishin thirrur në vendin e ngjarjes ekzistonte diferencë në armatim në raport me kriminelët.

Derisa një nga policët tenton të ballafaqohet me armën e tij, revole, atij i vihet në kundërsulm një nga kriminelët me automatik AK 47.

Po ashtu kriminelët në një pjesë të rrugës kishin lënë tela me gjemba çka kishte penguar një veturë të policisë të vazhdonte më tutje ndjekjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore