Kosova

Grabitësit në arrati – aktivizohet “unaza e çeliktë” në Suharekë


Policia e Kosovës ka aktivizuar “unazën e çeliktë”, sistemin e vendosjes së pikave të shtuara të organeve të rendit në lokacione të ndryshme, për t’i lokalizuar katër të dyshuarit që plagosen një polic teksa grabitën një argjendari të mërkurën në Suharekë.

“Është aktivizuar ‘unaza e çeliktë’ në bazë të informacioneve që janë për veturën e dyshimtë. Janë krijuar disa pika kontrolli në vendet nga mund të ketë shkuar vetura e dyshuar”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Albanain Post.

Po ashtu Bytyqi ka treguar se polici është plagosur në këmbë dhe se është jashtë rrezikut për jetë, duke shtuar se “në rajonin e Prizrenit nuk kemi pasur raste të shpeshta të grabitjeve.

“Dy grabitje të mëhershme që kanë ndodhur, të dyshuarit janë identifikuar dhe janë arrestuar”, potencoi ai.

Ai shtoi se hetuesit duke mbledhur prova aktualisht në mënyrë që të bëhet identifikimi i grabitësve sa më shpejt.

“Identifikimi i tyre është i vështirë”, tha Bytyqi.

Ndërsa siç shihet në video, tre nga të dyshuarit i mbushin çantat, ndërsa i katërti bën roje me kallashnikov.

Pas grabitjes, ata janë larguar nga lokali, duke u futur në një makinë ngjyrë bronzi dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Më pas, në largim e sipër kanë shtënë me kallashnikov në disa drejtime në qytet.

Për këtë rast ka reaguar kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka theksuar se organet e rendit po punojnë për ta zbardhur këtë rast.

“Sapo bisedova me Komandantin e Policisë, për rastin e grabitjes në një lokal në Suharekë, dhe u njoftova se po punohet në zbardhjen e rastit”, shkroi ai në Facebook.

I pari i Suharekës uroi që raste të tilla të mos përsëriten kurrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore