Lajme

Policia e Kosovës angazhon personel shtesë në pikat kufitare Kosovë – Serbi për ta garantuar lirinë e lëvizjes


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka angazhuar personel shtesë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Merdarë, Jarinjë, Bërnjak, Dheu i Bardhë e Muçibabë – për të menaxhuar fluksin e krijuar si rezultat i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore në Serbi.

Serbët e Kosovës kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar nga pjesa veriore e vendit drejt Serbisë për të ushtruar të drejtën e votës. Gjithashtu edhe Komuna e Gjilanit ka organizuar transport për qytetarët e Luginës së Preshevës – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – për të votuar në zgjedhje.

“Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues dhe sipas planifikimeve operacionale, do të kujdeset për ruajtjen e rendit kushtetues, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve të cilët në mënyrë të organizuar apo çfarëdo forme tjetër do të lëvizin brenda Republikës së Kosovës në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas”, ka thënë Policia e Kosovës.

Serbët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë do të ushtrojnë të drejtën e tyre në jugperëndim të Serbisë, përkatësisht në qytetet që janë afër kufirit të Kosovës – Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin. Kërkesa e Serbisë për t’i organizuar zgjedhjet edhe në Kosovë është refuzuar nga Qeveria e Kosovës. Serbia nuk ka qenë e gatshme t’i pranojë kushtet e ekzekutivit kosovar.

E të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa serbët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës deri në orën 20:00 në mbrëmje. Deri në orën 14:00 kanë votuar 32.38 për qind e qytetarëve, ndërsa procesi zgjedhor në Serbi do të monitorohen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe të huaj.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore