Lajme

Policia: Dy zyrtarëve të ATK-së ua konfiskuam sasinë e barnave me banderola të Serbisë, pa dokumentacione


Administrata Tatimore e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se në veturën e dy zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u arrestuan të enjten u konfiskua një sasi e barnave të ndryshme.

Lajmin e ka bërë të ditur policia përmes një komunikatë dërguar mediave.

“Patrulla policore në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, tek ura e Bistricës në një pikë kontroll ka ndalur veturën me targa zyrtare, pronë e Administrata Tatimore të Kosovës të cilën e drejtonte personi L.P. zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK-së) dhe së bashku me të ishte edhe një pasagjeri T.J. po ashtu zyrtar i ATK-së”.

“Gjatë kontrolli të veturës në fjalë në bagazhin e veturës janë gjetur një sasi e barnave të ndryshme me banderola të Serbisë, për të cilat nuk posedonin dokumentacione”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje nga policia është thënë se njëri është ndaluar për 48 orë, ndërsa tjetri është liruar.

Personi i ndaluar dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “kontrabandë të mallrave”.

Dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët janë zënë duke kontrabanduara mallra nga Serbia në Bistricë të Leposaviqit, janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë pezulluar nga puna.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi-Sefa.

“Po, janë suspenduar nga puna dy zyrtarë serbë, që janë kapur duke kontrabandura mallra nga Serbia, konkretisht me barna”, ka thënë ajo për AP.

Përmes një komunikate për media edhe Administrata Tatimore e Kosovës, ka thënë se janë arrestuar dy zyrtarë të ATK-së për këtë rast.

Në njoftim sqarohet se zyrtarët janë të komunitetit serb.

“Sot, Policia e Kosovës ka njoftuar Administratën Tatimore të Kosovës se ka arrestuar dy zyrtarë të ATK-së të komunitet serb,  nën akuza të kontrabandës së barnave”, thuhet në komunikatë.

Pas këtij njoftimi nga ATK-ja janë ndërmarr të gjitha veprimet konform kornizave ligjore, ku janë pezulluar dy të arrestuarit nga puna deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

“Veprimet e tilla që dëmtojnë integritetin e Administratës Tatimore duhet të luftohen pa kompromis, duke siguruar drejtësi dhe përgjegjësi për të ruajtur besimin në institucionet qeveritare”.

Ndërsa, kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, si për këtë rast, ashtu dhe për çdo rast tjetër të dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore