Lajme

Policia arreston edhe një person të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar edhe një person tjetër të dyshuar për dhënie dhe marrje të ryshfetit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga ana e Policisë së Kosovës.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore -Gjilan, ka kryer veprime hetimore/operative për disa muaj duke arritur të sigurojë dëshmi se i dyshuari me iniciale (A.R.) shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriut, dyshohet se është regjistruar si shtetas i Republikës se Kosovës në Komunën e Vitisë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në komunikatë.

Tutje është sqaruar se i dyshuari ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile.

“Të dyshuarit e lartcekur me iniciale(A.R.) dhe (M.D.), janë arrestuar me datën 27.04.2023. Gjatë hetimeve të mëtutjeshme është kuptuar se personat e arrestuar, (A.R.) dhe (M.D.) nuk njihen mes veti dhe për kryerjen e kësaj vepre kanë pasur një person tjetër si ndërmjetësues, i cili është identifikuar si i dyshuari i tretë dhe për të cilin hetuesit janë vënë në kërkim dhe identifikim të tij”.

Ndryshe rastet e fundit në Kosovë ku persona të caktuar dyshohen për ryshfet janë rritur.

Rasti i fundit i raportuar më 30 prill, ku një anesteziolog dhe një kirurg u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti e vërtetoi edhe një herë që ryshfeti është fenomen shumë i pranishëm në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Bazuar në informacionet e deritanishme, mjeku anesteziolog dyshohej se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 eurosh për të kryer një ndërhyrje.

Një rast pothuajse i ngjashëm ishte edhe në muajin janar ku tre kirurgë ishin të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshoheshin se kishin kërkuar para shtesë për të kryer operacione në këtë spital.

Ryshfeti në spitalet e Kosovës, “fenomen shumë më i shpeshtë se sa e dihet aktualisht”

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore