Gatimi

Pite tradicionale me kungull


Pite me Kungull

Për të gjithë adhuruesit e ushqimit tradicional shqiptar, pitja me kungull është një nga gatimet për tu mos u humbur.

Përbërësit

700 Gram miell,

1 Kilogram kungull,

1/4 Kilogram gjalpë,

Qumësht,

1 Sheqer vanilje,

2-3 Lugë supe sheqer

Kripë

Përgatitja

Pite me kungull.

Fillimisht, zihet brumi i botë me miell të situr, ashtu siç edhe veprohet për çdo pite. Pak më vonë, brumi duhet të ndahet në topa të vegjël, të cilët hapen me tëhollës.

Më pastaj, petët e hapura duhet të piqen në pllakë shporeti.

Në ndërkohë kungulli i njomë gërryhet me lugë dhe në tenxhere hidhet një lugë gjalpë ose vaj dhe në yndyrën e nxehtë, hidhet kungulli.

Shtohet edhe sheqer sipas dëshirës, preferohet sheqer vanilje dhe në maj të gishtërinjve vihet kripa, pastaj duke i përzier shtohet nga pak qumësht.

Kungulli zihet gjersa të jetë zbutur mirë, teksa në një enë të veçantë tunden 3-4 vezë dhe i shtohen kungullit të ftohur.

Tepsia lyhet me yndyrë dhe shtrohet një petë – mbi petë hidhet kungull i përgatitur, preferohet që masa e shtuar të balancohet në të gjitha anët.

Në fund vihet peta e cila lyhet mirë me yndyrë dhe qumësht. Por, para se të piqet, pitja duhet të shpohet në disa vende me pirun.

Pitja me kungull piqet në furrë me temperaturë 200 gradë Celsius, dhe posa të largohet nga furra, spërkatet me qumësht, mbulohet për pak kohë dhe shërbehet e nxehtë dhe e ndarë në katrorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore