Sport

Pioli: Do të përpiqemi të ndryshojmë historinë me ekipet angleze


Milan-i do të ballafaqohet me Tottenham-in në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve.

Kampionët në fuqi të Italisë kanë një bilanc negativ kundër ekipeve angleze, sidomos kundër Tottenham-it, që asnjëherë nuk i kanë mposhtur në katër ballafaqime evropiane, ku kanë dy barazime dhe dy humbje.

Pikërisht këtë “histori të keqe” synon ta përmirësojë trajneri i kuqezinjve, Stefano Piloi. Tekniku italian tha që synojnë ta eliminojnë skuadrën londinze, për të vazhduar tutje rrugëtimin në Ligën e Kampionëve.

“Nëse jemi këtu, jemi sepse kemi cilësi. Do të japim maksimumin dhe përpiqemi të ndryshojmë historinë me ekipet angleze që statistikisht kanë bilanc pozitiv ndaj Milan-it. Pra, sigurisht Milan-i im s’do të tërhiqet mbrapa por do të synojë kualifikimin. Kam besim te djemtë që i stërviti”, tha fillimisht tekniku italian.

Ai gjithashtu komentoi edhe formën e skuadrës së Tottenham-it, i cili tha se kanë një trajner që e njeh mirë skuadrën e tij.

“Do të jenë dy ndeshje të vështira ndaj një kundërshtari të fortë si Tottenham, të stërvitur nga një trajner i madh që na njeh mirë. Por është e paimagjinueshme të gjesh një kundërshtar të lehtë në 1/8 të Ligës së Kampionëve. Ne duam të luajmë me cilësitë dhe vetëdijen tonë, si dhe me besim të madh”, tha mes tjerash Stefano Pioli.

Kujtojmë që Milan-i e përfundoi fazën e grupeve në vendin e dytë, duke lënë prapa Salzburg-un dhe Dinamo Zagrebin. Ndërsa lider i grupit përfundoi Chelsea.

Kuqezinjtë gjithashtu janë duke vijuar mirë në Serie A, të cilët janë në pozitën e dytë me 29 pikë, gjashtë më pak se Napoli i vendit të parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore