Bota

Pfizer nuk është e vetmja vaksinë për BE-në


Disa vende të Bashkimit Evropian (BE) po marrin më pak doza të vaksinës Pfizer pasi firma amerikane po vonon dërgimin.

Gjashtë shtetet e quajtën situatën si të “papranueshme” dhe se po ulet besueshmëria tek procesi i vaksinimit.

Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia i kanë kërkuar BE-së të rrisë presionin ndaj kompanisë prodhuese të ilaçeve, Pfizer-BioNTech.

Pfizer tha se vonesa në dorëzim është e përkohshme.

Në një deklaratë, më 15 janar, kompania tha se dorëzimet po ndikohen nga ndryshimet e fundit të procesit të prodhimit. Ky proces ka si qëllim të rrisë sasinë e prodhimeve.

“Edhe pse kjo do të ndikojë përkohësisht në shpërndarjen e vaksinave nga fundi i muajit janar deri në fillim të muajit shkurt, do të sigurojë rritje të dozave për pacientët” deklaroi Pfizer.

Kompania tha se ndryshimet në proceset e prodhimit do të ndikojnë edhe në dorëzimet në Britaninë e Madhe (BM).

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, e quajti deklaratën e Pfizer-it të habitshme dhe për të ardhur keq, pasi ishte zotuar që të kryente shpërndarjen e vaksinave deri në mes të shkurtit.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se shefi ekzekutiv i Pfizer e kishte siguruar atë për shpërndarjen në kohë të dozave të porositura.

Javën e kaluar, von der Leyen, tha se këtë vit, Pfizer kishte rënë dakord të furnizonte BE-në me 600 milionë vaksina, dyfishin e porosisë së saj fillestare.

Vaksina Pfizer, nuk është e vetmja kandidate e disponueshme për BM-në. Dozat e Universitetit të Oxford-it dhe të kompanisë farmaceutike, AstraZeneca, janë duke u shpërndarë aktualisht.

As BE-ja nuk është e varur vetëm nga kompania Pfizer, pasi ka miratuar vaksinën e krijuar nga kompania amerikane, Moderna.

Cilat vaksina tjera po blen BE?

Ashtu si për Pfizer-BioNTech, Komisioni Evropian (KE) ka bërë marrëveshje me pesë kompani të tjera farmaceutike për të blërë qindra milionë vaksina, sapo të kalojnë provat klinike.

Mendohet të blihen 400 milionë doza nga AstraZeneca; 300 milionë doza nga Sanofi-GSK; 400 milionë doza nga Johnson & Johnson; 405 milionë doza nga CureVac dhe 160 milionë doza nga Moderna.

KE-ja përfundoi bisedimet fillestare me një kompani tjetër, Novavax, për 200 milionë doza./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore