Kosova

Petrit Halilaj, nga traumat e luftës, në art


Asokohe, ai ishte një 13-vjeçar.

Ishte viti 1999 dhe trupat serbe zbarkuan në Kosovë.

Ai, Petrit Halilaj, u detyrua që së bashku me familjen ta linte vendin e tij të lindjes dhe të gjente strehë në Shqipëri.

Shkatërrimi që solli lufta, zhvendosja e detyruar dhe kujtimet që mbetën, përcaktuan rininë e tij.

Por…zgjuan te ai edhe artistin me një karrierë të begatë, duke e kthyer atë në një nga figurat kryesore kulturore të dala nga atdheu i tij.

Për këtë, i shërbyen pikërisht ato vite që i ktheu në art.

Identiteti kulturor, kombësia dhe trashëgimia

Faqja “Wallpaper” shkruan se në vitin 2010, Bienalja e Berlinit e mirëpriti Halilajn teksa rindërtoi skelat e shtëpisë së familjes të tij, e cila u dogj në fshatin Kostërc gjatë luftës dhe që më vonë do të rindërtohej në kryeqytetin e Prishtinës.

Ai lëshoi ​​një tufë pulash të gjalla si simbol të jetës rurale dhe lirisë së rimarrë.

Më pas, ja nisi meditimit për migrimin dhe integrimin përmes rekreacioneve në shkallë të gjerë të bizhuterive që nëna e tij kishte varrosur në tokë në shtëpinë e tyre origjinale kur ata përgatiteshin të iknin.

Kështu, ai mbushi një stendë të Art Basel në vitin 2011 me të njëjtën tokë.

Nuk u ndal këtu. Temat e mëdha të lidhura me kombin, ja ngacmonin mendimin.

Dhe Halilaj krijoi një fole gjigante zogjsh nga toka kosovare, nga degë dhe degëza, për pavionin e parë të vendit në Bienalen e Venecias.

Pak më vonë, ringjalli ekzemplarë nga Muzeu i Historisë Natyrore të zhdukur në Prishtinë për një shfaqje solo në Qendrën e Artit Bashkëkohor Wiels në Bruksel.

Ndër më të fundit janë projekti Ru (2017), i frymëzuar nga artefaktet neolitike nga qyteti i Runikut, të cilat përfunduan në duart e serbëve për shkak të luftës dhe mbeten të paarritshme për kosovarët dhe Shkrepëtima (2018) që paraqet kujtimet kolektive të qytetarëve të Runikut si një shfaqje në rrënojat e ish-Shtëpisë së Kulturës.

Kurse projekti që kurrë nuk shteron është aftësia e Halilajt për t’i dhënë formë tingëlluese historive të tij personale dhe për t’i bërë ato sa më të qarta.

Ekspozita e re e Petrit Halilaj në Tate St Ives

Kishte një aspekt të biografisë, për të cilin Halilaj ishte në mëdyshje për shumë vite. Lidhej me përvojën e tij të Luftës së Kosovës, të cilën ai më në fund po e përdor për një instalim të madh në galerinë Tate St Ives, ekspozita e tij e parë vetjake në Mbretërinë e Bashkuar.

“Për një kohë shumë të gjatë, kam parapëlqyer të mos flas për të, ose të mos e mbaj mend në detaje, sepse jam magjepsur nga ajo që mund të bëj sot, duke folur me identitetin personal dhe kombëtar dhe se çfarë do të thotë ai në një shkallë më të gjerë”, ka thënë ai.

Koha e ka fuqizuar Halilajn. Tanimë, ai nuk tutet për t’u përballur me traumat e lëna. Po prapë koha, e nxiti atë të kishte një kuptim më të mirë se si një konflikt i dy dekadave më parë ende vazhdon të jehojë në politikën bashkëkohore.

E nga ana tjetër, pandemia e COVID-19. Kjo e fundit e detyroi artistin të rishqyrtonte kujtimet e tij.

Sërish…koha…kësaj here e dhënë nga pandemia, e kujtoi atë për një mik të vjetër. Quhej Giacomo ‘Angelo’ Poli dhe ishte psikolog italian.

Për herë të parë, ata u takuan në kampin e refugjatëve Kukës II në Shqipëri në vitin 1999, atje ku jetonte Halilaj dhe familja e tij.

Poli ishte pjesë e një misioni humanitar. Ai donte të ndihmonte fëmijët në kamp për të komunikuar përvojat e tyre, por ai nuk mund të fliste asnjë fjalë shqip, as ata anglisht ose italisht.

Kështu, ai u ofroi stilolapsa dhe letra dhe u kërkoi të vizatonin.

“Pas afro një muaji në kamp, ​​ku nuk kishim arsim, dëgjova se kishte një program për fëmijët. Shpesh e përshkruaj atë si një nga dhuratat më të mira të jetës sime”, është shprehur artisti.

Punëtoritë ishin terapeutike, një pushim nga vështirësitë e kampit dhe një dalje shumë e nevojshme:

“Vizatuam për luftën dhe ishte një nga të parat herë që një i rritur do të na jepte hapësirë ​​për të thënë diçka për përvojat tona. Nuk ishte vetëm nevoja personale për shprehje. Po përpiqeshim të informonim këdo që mundëm për atë që lamë pas, atë që sapo pamë dhe kohën jashtëzakonisht të vështirë që po kalonte Kosova”, ka treguar Halilaj.

“Wallpaper” shkruan se në vizatimet e tij gjeje vetëm skena shkatërrimi. Helikopterë ushtarakë që zbritën në Kosovë, tanke që depërtonin nëpër fshat, shtëpi që digjeshin në zjarr, ushtarë që mbanin civilët nën kërcënimin e armës, një familje që po masakrohej.

Por me inkurajimin e Polit, ai vizatoi të njëjtat gjëra që kishte vizatuar para luftës, peizazhet idilike dhe zogjtë që tani dukeshin një botë larg situatës së tij aktuale.

Megjithatë, këto ofronin një ndjenjë normaliteti dhe ushqimi shpirtëror.

Halilaj bëri mjaft përshtypje, së pari me këmbënguljen e tij për të pasur dyfishin e stilolapsave krahasuar me fëmijët e tjerë dhe pastaj me vetë vizatimet, të cilat tërhoqën vëmendjen e shtypit ndërkombëtar.

Por edhe vëmendjen e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, i cili kërkoi të shihte të riun në një vizitë në kamp.

Halilaj krijoi një miqësi të menjëhershme me Polin, i cili duhej të largohej pas 15 ditësh, duke marrë me vete 38 vepra arti të Halilajt dhe duke lënë pas informacionin e kontaktit dhe më shumë materiale vizatimi.

“I kam shkruar atij në çdo kohë që mundja në vitet në vazhdim”, ka zbuluar Halilaj.

“Në Itali, ai tregoi vizatimet e mia, krahas atyre të fëmijëve të tjerë dhe e bindi komunën e tij që të më jepte një grant për të shkuar në shkollën e vetme të mesme artistike në Kosovë pas luftës. Pastaj, Angelo dhe gruaja e tij më pritën për tre vjet kur isha në universitet te Akademia Brera në Milano. Ata u bënë familja ime e dytë”, ka thënë ai.

Petrit Halilaj mbi historitë që na formësojnë jetën

Falë bisedave të tij të fundit me Poli-n, Halilaj vendosi të rishikojë 38 vizatimet e tij të hershme për Tate St Ives.

Ai i kërkoi Polit të skanonte vizatimet dhe së bashku, filluan t’i shqyrtojnë ato një nga një.

Në pesë apo gjashtë vizatime, “fillova të magjepsesha sesi realiteti dhe trillimi ishin përzier në mendjen time në atë kohë dhe po bëja pyetje se çfarë mund të bëja me histori të tilla që formësojnë jetën dhe sa e pamundur është t’i mbash të ngrira, sepse ato ende të japin formë”.

“Mendova se do të ishte e mahnitshme të kishe mundësinë të shtjelloje idenë e ngjarjeve traumatike, duke folur me shpresat dhe ëndrrat më të mëdha, se si të dyja mund të mbajnë njëra-tjetrën”, ka shpjeguar artisti për “Wallpaper”.

Halilaj u frymëzua edhe nga puna që Poli kishte bërë me teknikat e teatrit, duke vepruar në një mënyrë të atillë për të përpunuar traumat.

Mjaftoi kjo dhe artistit i shkreptiu ideja e krijimit të një mjedisi zhytës në galerinë më të madhe të Tate St Ives, si një teatër gjigant, i formuar nga fragmente të zmadhuara të vizatimeve të pezullta nga tavani.

Çdo fragment, një copë e madhe e shtypur në njërën anë dhe që ofron vetëm një siluetë në anën tjetër, lidhet me luftën ose fantazinë.

Halilaj po i konfiguron ato në mënyrë që shikuesit, kur hyjnë në galeri, të jenë dëshmitarë të një skene të lumtur, utopike, me zogj me ngjyra të gjalla, të pavetëdijshëm për tmerret që i presin.

“Sa më tej të shkoni, aq më shumë do të shpaloset historia e luftës dhe kur të arrini në anën tjetër dhe të ktheheni, përshtypja është ajo e terrorit”, ka sqaruar ai.

Vizitorët dalin nga galeria nga e njëjta derë nga hyjnë, kështu që ata duhet të përshkojnë mjedisin e Halilajt nga kjo perspektivë e kohës së luftës.

Teksa largohen, nëse zgjedhin të shikojnë prapa, ata përsëri do të hasin në peizazhin origjinal, por sipas të gjitha gjasave ata do të luftojnë për të larguar vizionet e shkatërrimit. Kjo sipas vetë Halilajt.

“Jam i interesuar për këtë ide që ju të mos i shihni më vetëm zogjtë, përsëri. Në kujtesën tuaj, gjithmonë do të jetë ana tjetër”, ka zbuluar artisti.

Nën titullin “Tejet vullkanik nën pendët e gjelbra”, krijimi inkurajon ndjeshmërinë për viktimat e luftës dhe gjithashtu artikulon një optimizëm që teksa shumica e 90 fragmenteve fluturojnë në ajër, njëri vendoset në dysheme dhe printohet në të dyja anët.

“Ka një magji të bashkosh të gjitha këto ngjarje të ndryshme në jetën tënde dhe të ndërtosh një histori të re me to”, ka treguar Halilaj, i cili e konsideron veten me fat, jo vetëm që i ka mbijetuar luftës, por edhe që një jetë më e mirë i ka hapur krahët pas saj.

Për të kontekstualizuar instalimin, ai po i kushton një hapësirë edhe informacioneve shtesë mbi luftën dhe kontekstet politike dhe shoqërore që vazhdojnë të ndikojnë në shoqërinë kosovare dhe diasporën.

Ndër ekspozita do të jetë edhe një kopje e ditarit të gjyshit të tij, e cila shpalos kujtime të jetës normale të ndërprera brutalisht nga vinjetat e luftës.

Bashkë me të, një album fotografish nga Poli dhe shënimet e Anan-it mbi luftën e Kosovës dhe pamjet e vizitës së tij në Shqipëri, për të kontrastuar vendasit dhe perspektivat ndërkombëtare.

Trauma, shpresa dhe gëzimi

Ekspozita e Halilajt është kuruar nga Anne Barlow, drejtoreshë e Tate St Ives, e cila ka thënë se është “magjepsur nga fuqia dhe prania e asaj që ai bën”.

Krijimi i tij më i ri është ndoshta reflektimi më personal mbi traumën e luftës së Kosovës, të formësuar përmes perspektivës së kohës. Ai mbështetet në përvojat e tij të luftës, por gjithashtu vepron si një pikë prekëse për kujtimet dhe përvojat e të tjerëve.

Dhe kjo hap biseda të rëndësishme për të gjithë ne, për perspektivat unike që arti mund të sjellë në çështje si konflikti, shpërngulja dhe shtypja.

“Wallpaper” tregon se Halilaj e ka pranuar tanimë se kjo ekspozitë u krijua për të kaluar traumat që kishte.

“Në fakt, ju mësoni se trauma do të jetë gjithmonë në jetë…është vetëm mënyra se si e përdorim atë dhe çfarë bëjmë me të që mund të ndryshojë, është në duart tona”, ka reflektuar artisti.

“Nuk është në dorën tonë të heqim traumat nga jeta jonë. Është ajo që na bën ata që jemi”, ka ravijëzuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore