Sport

Persekutim, bullizëm, shpresë, kurajo, ëndrra dhe Olimpiada: Historia e Asif Sultani-t


Asif Sultani nuk mban mend shumë nga arratia e tij bashkë me familjen Hazara larg Afganistanit të rrënuar nga lufta. Ata u arratisën për t’i shpëtuar persekutimit mirëpo, disa kujtime i kanë mbetur.

Pasi mbërritën në Iran si azilkërkues, ndjesia që patën nuk ishte aspak e një refugjati.

“Jemi përballur me diskriminim të vazhdueshëm sepse na mungonte dokumentacioni”, i tha Sultani BBC Sport.

“Mbaj mend që jam bullizuar shumë – njerëzit më gjuanin me shkelma, grushte, më pështynin edhe më fëlliqnin madje. Raste të tjera plot kur më është dashur t’i përulem për mëshirë”.

Situata kritike dhe jetesa e vështirë në territorin iranian, bën që babai i Sultani-t ta shtyjë të përfshihet në arte marciale – kështu për t’i bërë ballë kujtdo që do ta bullizonte.

Por tani, Sultani është pjesë e Ekipit Refugjat të karatesë dhe po përpiqet të marrë pjesë ne Olimpiadën 2021, që do të zhvillohet në Tokyo të Japonisë më 23 korrik.

I përjashtuar nga palestra e lagjes për mungesë të dokumenteve, Sultani sajoi një hapësirë stërvitjeje në oborrin e shtëpisë së tij.

“M’u copëtua zemra sepse gjithëshka kisha në jetë ishte karateja”, rrëfeu Sultani.

“Fillova të grumbulloj disa shokë, e të stërvitem bashkë me ta duke parë filmat e Bruce Lee e duke u përpjekur të riprodhojë lëvizjet nga filmat dhe videot e tij.

Për hir të vërtetës, nuk ishte vend i mirëstolisur, por neve nuk na mungonte kurajo, ëndrrat dhe shpresa”, u shpreh Sultani.

Ëndrra e Sultani-t erdhi fare afër shkatërrimit kur, në moshën 16 vjeç autoritet iraniane e kthejnë mbrapsht në Afganistan dhe ku i është dashur të qëndrojë në një dhomë të vogël hoteli në frikë për jetën e tij.

“Fakti që shihja rrugëve njerëz të armatosur, më tmerronte sepse kisha vazhdimisht në mendje faktin se komuniteti Hazara, në të cilin bënte pjesë dhe familja ime, janë persekutuar për vite me radhë”, tregoi Sultani.

Disa javë më pas, Sultani i bashkohet disa qindra vetëve që do të niseshin nga brigjet e Indonezisë drejt atyre të Australisë – të grumbulluar ngushtësisht në një varkë relativisht të vogël.

Udhëtimi traumatik veç sa kishte filluar; motori i varkës prishet dhe i gjithë grupi në të, përfundon në lot, lutje dhe ankth për jetën.

“Të gjithë po qanin, po luteshin e po përgatiteshin të hynin në ujë. Një makth që po shikoja me sy hapur”, vazhdon Sultani.

Fatmirësisht, megjithëse grupi qëndroi me orë të tëra mbi ujë, në fund ia dolën të ecin mbi tokën e Australisë.

Një pjesë e mirë nga vitet e rinisë, Sultani ka kaluar në qendra arresti, por në moshën 18 vjeç ai arrin të regjistrohet në shkollë të mesme në Australi. Periudhës së shkollës së mesme, Sultani kurrë i shkëputi seancat stërvitore dy herë në ditë.

Ekipi Refugjatët debutoi në Olimpiadën Rio 2016 në Brazil dhe tashmë, si një refugjat me bursë ndërkombëtare nga këshilli olimpik, Sultani do të vendosë nëse do të marrë pjesë në Olimpiadën e Tokyo-s së Japonisë.

“Nuk do të shkoj atje me qëllimin për të fituar medalje. SI refugjatë, ne nuk e zgjodhëm jetën tonë. As nuk zgjodhëm të persekutoheshim apo të ndaheshim nga familjet tona dhe të lëmë pas atdheun.
Dëshiroj të jem një nga ata persona që ngjall shpresë drejtuar miliona refugjatëve nëpër botë që janë dëbuar nga atdheu i tyre e tani figurojnë pa kombësi – e shoh veten te secili prej tyre”, përfundoi Sultani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore