Lajme

Për Veriun, Macron e Sholz takojnë sot Osmanin


Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti frances Emnanuel Macron, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të enjte do të takohet me presidentin e Francës Emnanuel Macron, në Kishnau të Moldavisë.

Kështu ka deklaruar presidenti francez Macron, gjatë një fjalimi në konferencën Globale të Sigurisë të mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë.

Në këtë takim bashkë me të, Macron ka thënë se do të jetë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, krejt kjo për të biseduar për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe mungesë respekti për një marrëveshje që është e rëndësishme dhe është mbyllur disa javë më parë”, tha ai.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se kancelari gjerman do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me atë të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Sipas Hebestreit takimi po realizohet për të diskutuar rreth zhvillimeve në veri, ditëve të fundit.

Takimet do të zhvillohet veç-e-veç mes presidentit francez dhe kancelarit gjermane me të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë, në Kishinau të Moldavisë.

Takimet do të zhvillohen në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në kryeqytetin moldav. Megjithatë, duke qenë se procesin e dialogut e udhëheqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e jo presidentja, del që kreu i ekzekutivit është ‘anashkaluar’ kësaj here.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore