Lajme

Anashkalohet Kurti – Scholz e Macron takohen të enjten me Osmanin e Vuçiçin në Moldavi


Emmanuel Macron, Vjosa Osmani dhe Olaf Scholz

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një fjalimi në konferencën Globale të Sigurisë të mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë, ka njoftuar se së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me situatën në veri të vendit.

Këto takime, siç transmeton “Radio Evropa e Lirë”, do të zhvillohen të enjten (nesër, 1 qershor). Takimet do të zhvillohet veç-e-veç mes presidentit francez dhe kancelarit gjermane me të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë, në Kishinau të Moldavisë.

Ndërkaq, edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, këtë të mërkure ka udhëtuar për në Kishinau, ku pritet të zhvillojë takime me të gjitha palët e angazhuara intensivisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimet do të zhvillohen në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në kryeqytetin moldav. Megjithatë, duke qenë se procesin e dialogut e udhëheqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e jo presidentja, del që kreu i ekzekutivit është ‘anashkaluar’ kësaj here.

Ndryshe, në konferencën për Siguri Globale po merr pjesë edhe kryeministri Kurti, i cili, gjatë ditës takoi Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë , Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore