Lajme

Për Osmanin, ndryshe nga Kurti, “Ukshin Hoti është zhdukur me dhunë”


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Ndryshe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zhdukja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hotit, ka ndodhur me dhunë nga forcat serbe.

Ndërsa e para e shtetit e ka përkujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Ukshin Hotin, në 24-vjetorin e zhdukjes së tij, ka shkruar se i njëjti është zhdukur në rrethana ende të pandriçuara menjëherë pas lirimit nga burgu i Dubravës më 16 maj të vitit 1999.

“Ai është rrëmbyer me dhunë, teksa përpjekja për të zbardhur fatin e tij nuk është ndalur asnjëherë. Prej 24 vjetësh, fati i atdhetarit e intelektualit Ukshin Hoti mbetet i pazbardhur, teksa emri i tij vazhdon të mbetet në listën e të zhdukurve me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka deklaruar Osmani bënë të ditur njoftimi i Zyrës së Presidentes.

Problematike gjithë në këtë mes ka qenë deklarata e kryeministrit Kurti për mënyrën se si është zhdukur veprimtari Hoti.

Ndryshe nga Osmani, Kurti përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, në 24 vjetorin e zhdukjes së Hotit ka shkruar se natyra e zhdukjes së tij ka qenë me forcë, e jo me dhunë.

“Zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

E gjitha kjo lidhet me dakordimin e fundit të arritur në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan për deklaratën për Personat e Pagjetur.

Deklarata për Personat e Pagjetur e cila u miratua më 2 maj në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, nuk e ka termin të zhdukur me dhunë (Enforced Disappearance) sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por e ka termin të zhdukur me forcë (forcibly disappeared) që përbënë një terminologji jashtë konventave ndërkombëtare përmes së cilës nuk mund të kërkohet dëmshpërblimi/kompensimi.

Me marrëveshjen për Personat e Pagjetur Kosova e humbi mundësinë ta padisë Serbinë për gjenocid – ja pse

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore