Lajme

Me marrëveshjen për Personat e Pagjetur Kosova e humbi mundësinë ta padisë Serbinë për gjenocid – ja pse


Takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Deklarata për Personat e Pagjetur e cila u miratua më 2 maj në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, nuk e ka termin të zhdukur me dhunë (Enforced Disappearance) sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por e ka termin të zhdukur me forcë (forcibly disappeared) që përbënë një terminologji jashtë konventave ndërkombëtare përmes së cilës nuk mund të kërkohet dëmshpërblimi/kompensimi, prandaj sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Mazllum Baraliu, deklarata si e tillë me këtë terminologji nuk ka fuqi të plotë juridike.

Për Baraliun është e qartë se Deklarata për Personat e Pagjetur sidomos terminologjia e përdorur është dizajnuar asisoj që të dy palët, në këtë rast Kosova dhe Serbia, ta prezantojnë atë si një fitore para publikut të tyre.

“Në deklaratë përdoret termi personat të zhdukur me forcë, e jo me dhunë, është evidente që Qeveria e Kosovës ka dashur në një mënyrë të arsyetohej duke thënë se e ka futur këtë termë në tekst dhe ka korrur fitore, por mendoj se është gjetur një rrugë e ndërmjetme, është shkuar me një term kompromisi i pranuar nga të dy palët. Qeveria nuk ka qenë aq sa duhur këmbëngulëse në këtë aspekt”, ka thënë Baraliu për Albanian Post.

Qeveria e Kosovës me në krye, Albin Kurtin, kishte deklaruar se do ta padis Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas Baraliut ekzekutivi kosovar me deklaratën e miratuar për Personat e Pagjetur do ta ketë vështirë të shtyjë përpara këtë çështje.

“Termi të zhdukur me forcë (forcibly disappeared) në një farë mënyrë implikon Serbinë, por është çështje e Gjykatave të vendosin për këtë, pra do të dëshmojë koha se si do të vlerësohet në rast të ndonjë kontesti në Gjykatë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, me deklaratën për Personat e Pagjetur Kosova barazohet me Serbinë dhe se me këtë Beogradi zyrtar nuk mban më përgjegjësi për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç’it, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Arsyeja e rëndësisë së madhe të terminologjisë së përdorur ka të bëjë edhe me Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë.

Neni 24 i kësaj konvente flet për kompensimin e viktimave gjegjësisht pika 4 e Nenit 24 thotë “çdo Shtet/Palë do të sigurojë në sistemin e tij ligjor që viktimat e zhdukjes me forcë të kenë të drejtën për të marrë dëmshpërblim dhe kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat”.

Me terminologjinë e përdorur në marrëveshje “persons forcibly disappeared” dhe jo siç e përcakton konventa “Enforced Disappearance”, dëmshpërblimi/kompensimi nuk mund të kërkohet.

Ndryshe nga njohësit e së Drejtës Ndërkombëtare, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti, ka bërë të ditur se “për herë të parë, është arritur të përfshihet termi ‘të zhdukur me forcë’, që është tregues i qartë për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë”.

“Ju lutem referojuni Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, të OKB-së. Ju lutem referojuni Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në të gjeni termin identik të njëjtë me termin e përdorur në Deklaratë”, ka pohuar Hoti përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Ai madje ka përgënjeshtruar pretendimet se përmes Deklaratës për Personat e Pagjetur është shfajësuar Serbia për zhdukjen e personave gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Jo, nuk është shfajësuar Serbia për asgjë, por është fajësuar për krime ndaj popullit të Kosovës. Jo, nuk është bërë asnjë barazim i asnjërës palë!”, ka shtuar ai.

Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara,
Deklarata për Personat e Pagjetur e miratuar nga Kosova dhe Serbia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore