Lajme

Për deputetin e VV-së Marrëveshja e Uashingtonit, “nuk është marrëveshje”


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi, marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë me katër shtator në mes të Kosovës e Serbisë, nuk po e konsideron marrëveshje.

“Ajo nuk është marrëveshje, pasi nuk është nënshkruar nga të dyja palët në të njëjtën formë dhe as nuk është ratifikuar në parlamentin e Kosovës për t’u bërë sipas Kushtetutës Marrëveshje Ndërkombëtare”, ka deklaruar Abazi në një intervistë për EuroNews Albania

Tutje Abazi tha se “askush në asnjë moment nuk mund të arsyetojë faktin që është bërë moratorium nga ai zotim në Uashington për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe tentimi për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Janë gabime që janë bërë në një kohë elektorale në SHBA”.

Qeveria e Kosovës e ka rikonfirmuar se Marrëveshja e Uashingtonit, përkundër se përkrahet nga administrata e re amerikane, është një dokument i pavlerë për të.

Ai dokument gjithashtu është cilësuar edhe pa natyrë juridike nga ana e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se, së pari, ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje, për shkak se asnjëherë nuk është sjellë në Kuvend, as për t’u diskutuar, as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme”, ka thënë Kryeziu

SHBA-ja tashmë që drejtohet nga presidenti Joe Biden ka kërkuar që zotimet e bëra në Uashington nga Kosova dhe Serbia të përmbushen.

Ndërkaq, Albin Kurti më herët kishte deklaruar se Marrëveshja e Uashingtonit nuk do të dërgohet fare në Kuvend kur Vetëvendosje të rikthehet në pushtet.

Çka është marrëveshja e Uashingtonit dhe si u arrit?

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik është nënshkruar me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë disa marrëveshje si atë për autostradën Prishtinë-Beograd, marrëveshjen për hekurudhave duke u përkushtuar në studimin e fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore mes dy vendeve dhe me një me një port në det të thellë në Adriatik.

Po ashtu kjo marrëveshje parasheh që të dy vendet të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën, hekurudhat dhe sigurimin e financave.

Marrëveshja si e tillë përmban shumë tema të përbashkëta të të dy vendeve, disa prej tyre tashmë janë hapur si ajo e “Mini-Shengenit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore