Kosova

Marrëveshja e Uashingtonit, e pavlerë për Qeverinë Kurti


Momenti i nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump

Qeveria e Kosovës e ka rikonfirmuar se Marrëveshja e Uashingtonit, përkundër se përkrahet nga administrata e re amerikane, është një dokument i pavlerë për të.

Ai dokument gjithashtu është cilësuar edhe pa natyrë juridike nga ana e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se, së pari, ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje, për shkak se asnjëherë nuk është sjellë në Kuvend, as për t’u diskutuar, as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për Ekonomiaonline.

Kryeziu tutje ka thënë se kjo marrëveshje është nënshkruar nga një Qeveri pa legjitimitet.

“Në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u patë vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj, ne jemi në kontakt me SHBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”.

Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit kishte kërkuar nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashington për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e tyre në Uashington në mbështetje të qëllimit të normalizimit të plotë”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkaq në muajin tetor të vitit të kaluar, Kurti atëkohë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shkruar në “Twitter” se nuk do t’i zbatojë vendimet e një kryeministri të paligjshëm duke aluduar në Avdullah Hotin.

“Ne nuk jemi të detyruar nga zotimet e Kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, kishte shkuar Kurti.

Për Albanian Post, Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte thënë se Marrëveshja e Uashingtonit duhet të zbatohet.

“Si e tillë, ne presim që të dy palët të respektojnë premtimet e tyre dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për t’i zbatuar plotësisht këto zotime”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.

“Administrata e Biden-it kohët e fundit përfundoi një përmbledhje të plotë të politikave të saj në Ballkanin Perëndimor. Vendosi që shumë prej përpjekjeve të administratës së mëparshme, përfshirë angazhimet e Uashingtonit, ia vlen të ruhen dhe të ndërtohet në të ardhmen mbi to”.

Çka është marrëveshja e Uashingtonit dhe si u arrit?

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik është nënshkruar me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë disa marrëveshje si atë për autostradën Prishtinë-Beograd, marrëveshjen për hekurudhave duke u përkushtuar në studimin e fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore mes dy vendeve dhe me një me një port në det të thellë në Adriatik.

Po ashtu kjo marrëveshje parasheh që të dy vendet të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën, hekurudhat dhe sigurimin e financave.

Marrëveshja si e tillë përmban shumë tema të përbashkëta të të dy vendeve, disa prej tyre tashmë janë hapur si ajo e “Mini-Shengenit”.

Një pikë e marrëveshjes thotë se “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”

Ndërsa për Serbinë thotë se do të “pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”.

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik

Si pika më e fuqishme në kohën kur Kosova kishte një stagnim të gjatë në njohje të shtetit parasheh kjo marrëveshje, atë të njohjes së Izraelit

“Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin”.

Kosova tashmë ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem duke lidhur raporte diplomatike me Izraelin.

Takimi i Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë ishte planifikuar të ndodh më parë, por se pas njoftimit për akuzë për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga ana e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, ky i fundit kishte anuluar udhëtimin për në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore