Shqipëria

Për Albanian Post flasin ekspertët rreth sigurisë rrugore


Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) me çeljen e sezonit veror në Shqipëri, aksidentet rrugore pësojnë rritje. Kjo lidhet me fluksin e lartë të mjeteve të transportit.

Eksperti i sigurisë rrugore, Fisnik Ziçishti, për Albanian Post shpjegon se përse gjatë periudhës së verës ndodhin kaq shumë aksidente.

Sipas tij, njerëzit sot janë shumë të stresuar, çka e akumulojnë gjatë gjithë javës.

Ata priren që qoftë për pushime, apo për të kaluar një fundjavë me miqtë ose familjarët, të përdorin mjete private.

Shpesh, sipas Ziçishtit, për të arritur në destinacion sa më shpejt, bëjnë parakalime të gabuara, të cilat rezultojnë fatale.

Përveç stresit, eksperti i sigurisë rendit dhe një sërë faktorësh të tjerë që shkaktojnë aksidentet.

“Përdorimi i pijeve alkoolike dhe vetëkënaqësia e tepruar bëjnë që të mos ketë përmbajtje”.

Në një studim që ai po kryen, rezulton se njerëzit tregohen shumë të pakujdesshëm, duke mos zbatuar një nga rregullat bazë.

“Pothuajse çdo muaj, kemi një humbje jete për diçka që mund të shmangej me më pak kujdes. Hapja e dyerve të mjeteve jo në mënyrën e duhur, rezulton në goditje fatale”.

Sipas ekspertit edhe “infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar. Bëjmë ndryshime në kod, por e njëjta gjë”.

Ndërkohë, nga ana tjetër, eksperti për sigurinë rrugore, Fatmir Hasho, përveçse shpjegon arsyet e aksidenteve, për Albanian Post propozon disa nga masat që duhet të ndërmerren për shmangien e tyre.

“Dikur kemi folur për tre probleme kryesore, të cilat ndikojnë në aksidentet rrugore, që ishin: automjetet, rrugët dhe drejtuesit e mjeteve”.

“Sot”, thotë Hasho, “duke pasur parasysh aksidentet e ditëve të fundit kam ndjeshmërinë që fokusi duhet të jetë te drejtuesit e automjeteve”.

Ndryshe nga Ziçishti, ai thotë se nuk është për shkak të infrastrukturës rrugore, pasi sinjalistikën e kanë të plotësuar. Shkaktar, sipas tij, janë drejtuesit e mjetit.

“Parakalimet bëhen të gabuara. Jam i bindur që gabimet i bëjnë drejtuesit e mjetit. Ata nuk njohin mirë rregullat e qarkullimit rrugor. Nuk janë të përgjegjshëm në drejtimin e mjetit”.

Masat e propozuara nga eksperti

Për të minimizuar aksidentet, rol kryesor sipas Hashos, luan edukimi për sigurinë rrugore qoftë për drejtuesit e mjeteve, qoftë për këmbësorët.

“Edukimi i sigurisë rrugore duhet të realizohet që në shkollë”, vë theksin ai.

Autoshkollat, sipas ekspertit, janë institucioni ku “përgatitja ka një lloj zhvillimi pozitiv, por ende jemi shumë larg përvojës botërore”.

Ai theksoi se duhet zgjatur koha e marrjes së lejeve të drejtimit, lidhur kjo edhe me orët e praktikës, të cilat duhet të dyfishohen.

Për sa i përket rastit të policisë rrugore, eksperti thotë se është e vetmja që po bën punën, por është e pafuqishme përballë gjithë kësaj situate.

“Problemi”, thekson ai, “është shpejtësia shumë e madhe, si dhe tolerimi i drejtuesve të mjeteve duke përdorur manovra të ndryshme”.

Në përmbyllje, ai thotë se duhet të krijohet një Komitet i Sigurisë Rrugore në rang kombëtar, që të përcaktojë qartë të gjitha piketat në çfarë rrugësh duhet të ecet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore