Lajme

Peci e quan Pacollin “politikan të Kremlinit”: Ka sulm të koordinuar ndaj meje


Faton Peci

Një sjellje pasive e ministrit Faton Peci derisa në prani të tij ndaj një fëmijë u përdor forcë, ka ngjallur reagime të shumta gjatë së dielës.

Mes tyre edhe ish-president i Kosovës, Behgjet Pacolli, por edhe ministri Elbert Krasniqi e të tjerë.

Vetë Peci, që nuk reagoi në vendin e ngjarjes, ka reaguar në Facebook më pas.

Tha se nuk e ka parë rastin, sepse e kishte vëmendjen tek bashkëbiseduesi i tij, derisa publikimin e videos ku një kamerier kap me forcë një të mitur dhe e largon nga një restorant, Peci e ka quajtur sulm të koordinuar ndaj tij, meqë punën si ministër po e bën shumë mirë.

“Në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej ‘veprime skandaloze’”, shkroi Peci në Facebook.

“Së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa ‘Rugovista’ të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz”.

Ndryshe nga Peci, ministri Krasniqi reagon: E quan racizëm sjelljen e dhunshme me një fëmijë nga komunitetet pakicë në Kosovë

Peci beson se publikimi i kësaj videoja ka ndërlidhje me punën e tij të mirë si ministër.

“62 milionë euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj por tek bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po iu pengon disave”, thotë Peci në statusin e tij.

Në pjesën e dytë të statusit Peci shkruan për Pacollin, meqë ky i fundit kritikoi ministrin kur doli videoja.

“Nëse përveç edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjashme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë ‘skandale’ nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore