Lajme

PDK: Fatkeqësi që Kurti ka për miq hajnat e energjisë, trafikantët e drogës dhe hajnat e bukës së gojës


Betim Gjoshi

Sekretari për Organizim dhe Zgjedhje në Partinë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, gjatë një konference për media, ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mënyrë urgjente duhet të shkarkojë ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari, pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Hafiz Garës drejtor i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe Irfan Lipovicës, drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, si dhe Ridvan Muharremit, pronar i furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, nën dyshimin për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

“Kryeministri Albin Kurti, urgjentisht, sot, menjëherë, duhet që ta shkarkojë nga detyra Ministren Hajdari, për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa herë, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, ka thënë Gjoshi fillimisht në një konferencë për media.

Sipas Gjoshit është fatkeqësi e madhe që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka për miq hajnat e energjisë, duke aluduar për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit u përmend në një aferë në Slloveni për shpëlarje parash me trafikantët e drogës dhe hajnat e bukës së gojës

“Pas përfshirjes së ambasadorit Martin Berishaj në aferën e madhe të tregtimit të energjisë, arrestimit të shefit të KEK-ut Nagip Krasniqi dhe arrestimit të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes për trafikim me drogë, Besnik Mujeci – Ridvan Muharremi është miku i katërt me radhë i Kryeministrit Albin Kurti i cili arrestohet dhe dyshohet për keqpërdorim taksave të qytetarëve tanë”.

Gjoshi më tej ka theksuar se Ridvan Muharremi nuk është thjeshtë një sipërmarrës, por, përveç se mik i Kryeministrit, është personi përgjegjës, i cili me bekimin e Albin Kurtit dhe emërimin e Rozeta Hajdarit, është marrë me furnizimin e rezervave shtetërore të Kosovës.

“Ridvan Muharremi është personi i cili në emër të Kryeministrit dhe me lejen e tij, përveç se është marrë me biznese të ndryshme, edhe të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë.  Ridvan Muharremi, miku i Kryeministrit, si person i autorizuar nga Rozeta Hajdari jashtligjshëm sepse nuk i ka plotësuar kriteret, në emër të furnizmit me rezerva shtetërore, paratë e buxhetit të shtetit i ka dhënë ndërsa mallin nuk e ka marrë asnjëherë – duke i shkaktuar qindramijëra euro dëme vendit”, ka thënë Gjoshi.

Gjoshi më tej ka theksuar se kjo Qeveri ka humbur çdo legjitimitet dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

“Prej aferave me energjinë, koordinimit me Radojçiqin, trafikimit të drogës nga zyrtari i tyre i lartë e deri te hajnia me rezervat e shtetit – janë skandale të cilat këtë qeverisje e karakterizojnë vetëm në një mënyrë: Skandaloze! Të dëmshme! Të paaftë! Prandaj, sot, është prioritet shtetëror që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme dhe mandati t’u kthehet qytetarëve. Kosova ka nevojë për një qeverisje të re, kredibile, të aftë dhe e cila rikthen prosperitetin e normalitetin në vend”, ka përfunduar Gjoshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore