Shqipëria

PD ka 3 muaj për të vërtetuar masakrën zgjedhore, ose kauza bie


Tre muaj!

Gjithçka u bë sipas kërkesës së Partisë Demokratike, me kriteret e vendosura nga Partia Demokratike dhe çdo hap drejt faktimit, do të ndodhë nën drejtimin e Partisë Demokratike.

Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit mbi të pretenduarën “masakër zgjedhore”, e kthyer në kauzën më madhore të demokratëve pas humbjes së parlamentareve, do të mblidhet.

Drejtimin, do ta ketë në dorë Enkelejd Alibeaj, një emër i konsoliduar pranë Lulzim Bashës dhe ndër zëlartët më të bëshëm në PD për kauzën. Gjashtë të tjerë do t’i bashkohen atij në komision, përballë tetë kolegëve nga pala socialiste.

Tre muajt e ardhshëm, faktikisht, priten të jenë intensivë për diskutimet e debatet që priten mbi çështjen. Çështje, e cila ka zënë diskursin rrënjësor politik të kreut të bluve, Lulzim Basha, gjatë gjithë periudhës pas-zgjedhore.

Lulzim Basha flet në Parlament mbi masakrën zgjedhore

Thënë kjo, vetë Basha në veçanti dhe PD në përgjithësi, janë përballë një “rreziku” të pashmangshëm, ku në lojë mund të jetë kauza e tyre jetësore politike.

Socialistët, nuk kishin asnjë kusht mbi formimin e këtij komisioni. Aq të bindur ishin për pastërtinëe tyre, sa e deklaruan votën pro që dy ditë përpara votimit në Parlament. Pro, edhe duke i dhënë drejtimin e kërkuar palës kundërshtare, për të pasur në dorë mënyrën si zhvillohen seancat dëgjimore.

Mirëpo, nëse në tre muaj, të djathtët nuk arrijnë ta faktojnë pretendimin mbi masakrën, atëherë kauza e tyre, rrjedhimisht bie!

Në rast të tillë, narrativa demokrate nuk mundet kurrsesi të jetë më ajo e vjedhjes së zgjedhjeve nga të majtët. Të paktën, në letër, ky skenar është i pamundur.

Fakti është se PD-ja, mund të kërkojë të thërrasë në seancë këdo që dëshiron për ta pyetur. Koha gjithsesi, sa e madhe duket, aq edhe e largët është.

Objekti?

Katër pika thelbësore janë kyç për problemzgjidhjen e komisionit. Nëse demokratët edhe një të vetme prej tyre, do të ishte një fitore e madhe.

E para, i përket çështjes së patronazhistëve. Ose të paktën kështu njihet. Me çfarë ajo ka të bëjë realisht, është pretendimi i vjedhjes së të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarëve nga ana e shtetit. Qëllimi i pretenduar? Ai i përdorimit të të dhënave për qëllime elektorale.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbron patronazhistët gjatë një tubimi politik, prill 2021

Pika e dytë, lidhet me verifikimin e fondeve publike për qëllime elektorale. Të përfshira në to, do të jenë edhe fondet e shpërndara për periudhën pas tërmetit të nëntorit 2019.

E treta, është verifikimi i ligjshmërisë së procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje, për qëllime elektorale.

E katërta dhe e fundit, është ajo e verifikimit të punësimit në adminsitratën publike për qëllime elektorale.

Demokratët, ashtu siç e kanë pohuar shpesh edhe në artikulimin e kryetarit të tyre, i kanë parashtruar këto pika, duke u bazuar në raportin e OSBE/ODIHR, mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.

Mbi këtë bazë, komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për secilin nga pretendimet.

Pra, demokratëve u duhen minimalisht katër grupe pune, në mënyrë që një të mbajë një çështje, për të mos e neglizhuar njërën apo zvarritur në limite kohore.

Për këtë, ata mund të thërrasin ekspertë ligjorë dhe çdo zyrtar institucional në Shqipëri, si pjesë të procesit. Kjo, qoftë duke i kërkuar ndihmën ligjore, qoftë për ta marrë dikë në pyetje.

Subjekti!

Logjika subliminale mbi gjithë këtë hap të ndërmarrë nga demokratët, është thjeshtësisht i ndarë në dy kahe: Fitimi moral i kauzës dhe propozimi i ndryshimit të legjislacionit në çështje të cilat janë hasur si problematike.

E para, është pastërtisht e kuptueshme, pasi do t’i jepte një partie opozitare në tre mandate tashmë, një fuqi të re morale në popull dhe një zgjatje të kauzës së artikuluar gjatë.

Mbi propozimin e një legjislature të reformuar, përfshihen disa hallka. Fjala bie, ndër to është edhe vënia përpara përgjegjësisë e institucioneve, ndryshime i ligjeve për të shtuar masat mbi mbrojtjen e votës, shtimin e integritetit të administratës në procesin zgjedhor apo angazhimin e Prokurorisë për një hetim edhe më të thelluar të procesit të shkuar.

Mirëpo në Shqipëri, të paktë kanë qenë komisionet hetimore të suksesshme. Ndër to, i fundit ka qenë ai për shkarkimin nga Presidenca të kreut të shtetit, Ilir Meta.

Ky komision, ishte i thirrur nga mazhoranca dhe mbi të gjitha, nuk shihte përfshirjen e opozitës – të paktën jo të asaj reales – në proces.

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta

Ndërsa kushtet e tanishme të këtij komisioni hetimor, janë tërësisht të veçanta.

Me shtatë deputetë të tyre dhe tetë të kahut të kundërt, kjo është përpjekja e parë ligjore parlamentare, që PD ndërmerr ndaj socialistëve.

Në tre muaj, rrugët e tyre janë dy: Vërtetimi i “masakrës zgjedhore” ose rënia e kauzës gjashtëmujore paszgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore