Shqipëria

PD-ja proteston “në udhëkryq”


E premtja e 3 marsit mund të jetë vendimtare për fatin e Partisë Demokratike, si në aktivitetin e saj opozitar prej tre javësh por edhe në legjitimimin e “vulës”.

Në të njëjtën ditë kur është thirrur protesta e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë çështjen për të drejtën e vulës dhe logos së selisë blu.

Për kryedemokratin Sali Berisha e gjitha kjo ishte rastësi pasi “protestën e kemi vetëm me Edi Ramën, jo me gjykatësit”.

“Ky revolucion nuk është vetëm i Partisë Demokratike, por i gjithë shqiptarëve. Unë e di që çdo ditë do dëgjoni njerëz që ju thonë se pa dhunë, nuk përmbyset, nuk arrihet. Unë u them atyre, dhe ju do u thoni, se qëndresa është forcë. Dhuna nuk të sjell në objektivat që kërkon”.

Kujtojmë që deri më 6 mars, është afati i lejuar nga KQZ-ja për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet vendore dhe fati i PD-së, duhet doemos të vendoset më 3 mars, për të kapur kësisoj afatin.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili gjatë një interviste televizive, ka cituar se çështja nuk është veç për PD-në, pasi juridikisht një të tillë ka, por është për organin drejtues të kësaj force politike.

Celibashi ka pohuar po ashtu se ai do ta presë vendimin e Gjykatës dhe të drejtën, do t’ia japë kujtdo e ka atë të bazuar juridikisht në legjislacionin shqiptar.

Policia e Shtetit me qëllim garantimin e sigurisë prezantoi më herët planin e masave.

Pas përfundimit të tubimit, do të angazhohen shërbimet e Policisë, për bllokimin e qarkullimit në disa segmente rrugore, si dhe për bllokimin e pjesshëm të qarkullimit në disa segmente të tjera rrugore.

Policia njofton qytetarët se duke filluar nga ora 06:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 deri në përfundim të tubimit.

Protestat e mëparshme

Marshimi i lirisë dhe revolucioni ishin dy konceptet shteruese të protestës së 11 shkurtit.

Mandej të dyja përvijuan aplikimin në protestën e të hënës përpara Kuvendit të Shqipërisë, siç u njoftua.

Por, aksioni opozitar duket se ka hyrë në një qark vicioz duke llogaritur ecejaken e kryedemokratit në kryeqytet pa frikën e një përsëritjeje të incidentit të izoluar të 6 dhjetorit.

Në thelb, vijimi i revolucionit dhe marshimi i lirisë të cilin Berisha e ndau në disa etapa institucionale, është i fragmentuar.

Kjo, mes deputetëve të cilët gjenden brenda seancës plenare dhe “të përjashtuarve”.

Njësoj si të thuash se grupimi Alibeaj gjendet krah protestës por renditet mes “të përjashtuarve” nga kauza dhe foltorja e lëvizshme.

Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën para Kryeministrisë duke akuzuar Qeverinë shqiptare për korrupsion.

Ndër të tjera ata protestuan kundër kostos së lartë të jetesës që po i detyron njerëzit të largohen nga vendi.

Protestuesit, të udhëhequr nga lideri i opozitës Sali Berisha, hodhën mjete piroteknike në hyrje të zyrave të qeverisë ku qindra oficerë policie me mjete kundër trazirave bllokuan protestuesit të hynin në ndërtesë.

Sërish, protesta nuk u përshkallëzua duke ruajtur një format paqësor të shprehjes së pakënaqësive ndaj Ekzekutivit.

“Edi Rama jepe dorëheqjen, shko ku e keni vendin, në shtyllën e turpit, në shtëpinë e tradhtarëve”, tha Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike në opozitë, duke shtuar se të hënën do të thirrej një protestë e re para parlamentit.

Berisha, një ish-president dhe ish-kryeministër, e ka të ndaluar të hyjë në Shtetet e Bashkuara, si i përcaktuar non grata, për korrupsion të dyshuar.

Gjatë protestës së 11 shkurtit kryedemokrati akuzoi kryeministrin Rama se ka korruptuar zyrtarët amerikanë për të lobuar kundër tij dhe kundër partive opozitare.

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë që nga muaji i kaluar, me akuza për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe politika të dobëta ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore