Shqipëria

PD-ja nuk jep asnjë emër pa u pranuar dokumenti ynë, thotë Agalliu për AP-në


Deputeti i Partisë Demokratike (PD), Arbi Agalliu, deklaroi se grupi i demokratëve nuk do të japë asnjë emër për presidentin e ri.

Kjo, pa u pranuar dokumenti dhe propozimi i tyre.

“Nuk do të japim asnjë emër për presidentin e ri pa u pranuar dokumenti që propozojmë”, u shpreh Agalliu për Albanian Post.

Në draftin e PD-së, dokumenti të cilit i referohet sekretari demokrat, kërkohet që në formulën e zgjedhjes së presidentit opozita të propozojë katër emra kandidatësh.

Më pas, të arrihet në një dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës për emrin që do t’i dërgohet Parlamentit për votim.

“Opozita Parlamentare propozon katër kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme. Mazhoranca përzgjedh dy kandidatë që gëzojnë besimin më të madh. Një Komision i përbërë nga gjashtë anëtarë: tre shumica parlamentare dhe tre pakica parlamentare, shqyrtojnë dy kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare”.

Në draft, Grupi Parlamentar i demokratëve sqaron edhe kriteret që duhet të plotësojë presidenti i ri.

‘Gjatë 5 viteve të fundit, Kandidati për president nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake. Përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit. Duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë”, janë disa nga kriteret e kërkuara.

Ndërkohë dy ditë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat para Kryesisë së Kuvendit deklaroi se “pati një tërheqje nga Partia Socialiste për të mos pasur një konsensualitet për kandidaturën dhe procesin e zgjedhjes së presidentit”.

Dhe kundërpërgjigja për këtë, ka ardhur nga kreu i grupit të socialistëve, Taulant Balla i cili theksoi se “nuk e kuptoj pse PD u tërhoq nga procesi për të sjellë kandidature”.

Ndërkohë raundi i dytë do të zhvillohet të hënën e 23 majit.

Në raundin e dytë dhe të tretë të negociatave me mazhorancën, në total opozita do të prezantojë katër emra. Përkatësisht dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.

Ndërkohë prej këtyre emrave dy do të zgjidhen nga socialistët. Pas kësaj do të krijohet një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të jenë nga PD-ja dhe PS-ja.

Nga ky grup do të dalë një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Raundi i dytë është parashikuar të zhvillohet të hënën e 23 majit. Nga ana tjetër Kushtetua parashikon se procedurat për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojnë jo më vonë se data 23 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore