Shqipëria

‘Presidenti i ri’, Alibeaj anulon mbledhjen e Grupit Parlamentar: PS u tërhoq nga marrëveshja


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat para Kryesisë së Kuvendit deklaroi se “sot pati një tërheqje nga Partia Socialiste për të mos pasur një konsensualitet për kandidaturën dhe procesin e zgjedhjes së presidentit”.

“Dje kemi pasur mbledhje të Grupit Parlamentar që duhej të vazhdonte edhe sot. Por, ndodhi që sot ka pasur në media një tërheqje nga ana e PS-së, pra procesi do të ishte i tillë ne do të identifikonim katër kandidatura. Hapi i fundit do të jepte edhe garancinë për këtë proces”.

Më herët, Alibeaj anuloi mbledhjen e grupit që pritej të zhvillohej ditën e sotme.

Ky vendim vjen pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se presidentit, ku kërkon vetëm një emër nga opozita.

Alibeaj ndër të tjera theksoi se në pikën katër të dokumentit të PD-së thuhet se, “një Komision i përbërë nga gjashtë anëtarë, tre shumica parlamentare dhe tre pakica parlamentare, shqyrtojnë dy kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare”.

Gjatë prononcimit të tij për media ai tha se kryeministri Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja kur pa kandidatët e opozitës.

“Kjo kandidaturë eventuale duhet të ketë vetëm firmat tona. Ne e kemi ditur që në fillim që PS i ka 74 vota, por nuk ka legjitimitetin real. Votat e  Dom Doshit “non grata”, nuk kanë legjitimit.  Kërkova që edhe takimet të bëheshin me media, sepse doja që gjithçka të dihej nga publiku, që të kuptonin kush janë ta që zbatojnë Kushtetutën”.

Sipas Alibeajt, një nga shkaqet është që kandidatët tanë nuk janë peng.

Në raundin e dytë dhe të tretë të negociatave me mazhorancën, në total opozita do të prezantojë katër emra. Përkatësisht dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.

Ndërkohë prej këtyre emrave dy do të zgjidhen nga socialistët. Pas kësaj do të krijohet një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të jenë nga PD-ja dhe PS-ja.

Nga ky grup do të dalë një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Raundi i dytë është parashikuar të zhvillohet të hënën e 23 majit. Nga ana tjetër Kushtetua parashikon se procedurat për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojnë jo më vonë se data 23 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore