Shqipëria

Zgjedhja e presidentit, Balla: Do ishte joproduktive të digjnim raundin e dytë


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u ka bërë thirrje grupeve parlamentar të opozitës për të propozuar emrat për kandidat për President.

Balla tha se orët në vijim në mbyllje të afatit duhet të përdoren me përgjegjësi, teksa shtoi se nuk e di arsyen se përse grupi parlamentar i Partisë Demokratike u tërhoq nga procesi.

“Konstatoj me keqardhje që nga opozita nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësi për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e di përse PD, grupi i saj parlamentar, u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura, orët në vijim në mbyllje të këtij afati duhet të përdoren me përgjegjësi. Do ishte joproduktive të digjnim raundin e dytë”.

Megjithatë, sipas tij, “ne e respektojmë marrëveshjen me grupin parlamentar të PD dhe dy grupet e tjera, që dy raundet e para u takojnë propozimeve të opozitës, por nëse dhe në raundin e tretë nuk do të hyjë në proces, natyrshëm një gjë është e sigurt, në raundin e katërt do të zgjidhet me kandidatë të propozuar prej nesh Presidenti apo Presidentja e re e Republikës”.

Në raundin e dytë dhe të tretë të negociatave me mazhorancën, në total opozita do të prezantojë katër emra. Përkatësisht dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.

Ndërkohë prej këtyre emrave dy do të zgjidhen nga socialistët. Pas kësaj do të krijohet një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të jenë nga PD-ja dhe PS-ja.

Nga ky grup do të dalë një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Raundi i dytë është parashikuar të zhvillohet të hënën e 23 majit. Nga ana tjetër Kushtetua parashikon se procedurat për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojnë jo më vonë se data 23 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore