Shqipëria

PD: Helidon Bushati tërhiqet nga roli i Drejtuesit Politik në Shkodër


Helidon Bushati ka njoftuar tërheqjen e tij nga posti i drejtuesit politik të Partisë Demokratike në Shkodër.

Përmes një statusi në Facebook, Bushati sqaron se vendimin e mori “pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD”.

Fillimisht, ai sqaron se këtë qendrim, e ka komunikua me drejtuesit e PD-së, përpara kësaj shpalljeje.

“PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku”, ishte një nga mesazhet e ish-drejtuesit demokrat në qarkun verior.

Sipas Bushatit, me tërheqjen e tij, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD-së me synim përbashkimin.

“Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës”, ravijëzon në përmbyllje ish-drejtuesi politik i PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore