Lajme

Pavarësia, përmes historianëve


Dita e Shpalljes se Pavaresise

Deklaratën e pavarësisë së Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008 e nënshkruan 109 deputetë.

Mes tyre, edhe historiani Ibrahim Gashi.

Profesori që kishte një jetë që ligjëronte histori, po bëhej pjesë e një momenti të rëndësishëm të saj, prandaj Gashi thotë se “të qenurit anëtar i Kryesisë së Kuvendit dhe deputet kur po shpallej pavarësia dhe hedhja e firmës në tekstin e deklaratës se pavarësisë ishte moment mjaft emocionues”.

“Ndjenja ishte e veçantë por edhe paksa e përzier. Ne një anë ishte privilegj dhe krenari e në anën tjetër përgjegjësi përballë sakrificës së madhe të gjithë popullit të Kosovës ndër breza dhe veçmas gjakut të dëshmorëve dhe heronjëve”, e ka përshkruar Gashi momentin në një intervistë për Albanian Post, në përvjetorin e 15-të.

Gjithashtu, Gashi ka rrëfyer edhe agjendën e kryesisë së Kuvendit në atë ditë, duke e spikatur momentin e vizitës te kompleksi memorial në Prekaz – përkuljen në shenjë nderimi dhe falënderimi para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari.

“Simbolika e kësaj vizite dihej. Dhe kjo në vetvete si vizitë të shkaktonte emocion te veçantë kur shihje sakrificën më epike të dëgjuar ndonjëherë ne historinë e njerëzimit. Momenti tjetër me emocionues ishte ai i nënshkrimit të deklaratës se pavarësisë dhe pastaj emocion në vete ishte edhe atmosfera e festimit të pavarësisë”.

Ibrahim Gashi

Ndërkaq, Gashi i cili momentalisht është Profesor i Diplomacisë në Universitetin e Prishtinës, ka shpjeguar edhe rrugëtimin deri tek pavarësia – duke e konsideruar të gjatë dhe më shumë sfida.

“Pikënisje ishte viti 1913, kur ushtritë ballkanike në ndjekje të ushtrive osmane i zëvendësuan ato duke pushtuar Kosovën. Paslufta e parë botërore  veçse e riktheu dhe rikonfirmoi okupimin serb  tashmë në kuadër të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene. Paslufta e dytë botërore krijoi rrethana të tilla qe e privuan Kosovën nga realizimi i vullnetit të saj për të ju bashkuar shtetit amë. Gjatë periudhës 1945-1990 Kosova pati ngritjet dhe rëniet e pozicionit të saj kushtetues në kuadër të RSFJ-së”.

Momentet finale të pavarësisë së Kosovës, ish rektori i UP-së i ndan në tri periudha: deklarata e 2 korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit “janë aktet e para formale e deklarative të fillimit të ekzistimit të Republikës se Kosovës”.

“Lufta çlirimtare 1997-1999 përbën fazën e dytë qe e vitalizoi (i dha shpirt) idesë së pavarësisë dhe faza e tretë ishte administrimi ndërkombëtar i Kosovës, e njohur si periudha e UNMIK-ut”.

“Si akt pavarësia e Kosovës në rrethanat që u shpall nuk ishte një precedan, por ishte një rrjedhojë logjike e një lufte çlirimtare të popullit shqiptar. Në planin e të drejtës ndërkombëtare  referuar verdiktin e GJND-së të vitit 2010 – i cili provoi se akti i shpalljes se pavarësisë se Kosovës nuk përbënte shkelje te se drejtës ndërkombëtare”.

Ibrahim Gashi duke nenshkruar deklaraten e Pavaresise

Ndërsa, rrugëtimi 15 vjeçar i Kosovës tha se është storie në vete që dominohet nga arritje dhe suksese të prekshme si në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

“Sigurisht që ka edhe shumë gjera që kanë mundur te bëhet më mirë. Ka gjera qe nuk u bënë fare, madje ka edhe gjera qe janë bërë  keq, por rrugëtimi ka shpërfaqur një fakt se konsolidimi i shtetit të Kosovës është proces kompleks dhe shumë sfidues”, deklaroi Gashi.

Rëndësia e Pavarësisë së Kosovës edhe në kontekstin historik ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe atë në disa dimensione, thotë për AP, shefi i departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani.

“E para: për shkak se është në të drejtën historike te një populli me etni shqiptare mbi 95% – të   vendosë për fatin e vet; e dyta për shkak te drejtës historike; e treta kjo është një arritje minimale krahasuar me dëmin qe ju është bërë Kosovës me 1912, me ndarjen nga trungu etnik. Dëmet e vendimeve te Londrës për Kosovën, janë evidente edhe sot”, deklaron Hasani për Albanian Post.

“Përveç dëmeve të aspektit ekonomik e demografik, demet më të mëdha janë tek pjesa e humbjes së njerëzve. Me qindra e mijëra te rrahur e burgosur, me mijëra te vrare, me mijëra te dhunuar e zhdukur dhe pasojat përveç aktuale, bartin me vete edhe një kosto te madhe edhe për te ardhmen e dy popujve dhe vendeve”.

Mentor Hasani

Ai, po ashtu tha se “shkaktar i urrejtjes ndëretnike janë elitat politike serbe, religjioni, pra kisha dhe akademia te cilat kane hartuar projekte të cilat kanë çuar ne dëme pothuajse te pariparueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Ndërkaq, profesori shtoi se shqiptarët nuk i kanë ndaluar përpjekjet e tyre si ushtarake dhe diplomatike për të arritur qëllimin – pavarësinë, duke përmendur disa prej tyre.

“Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e themeluar në maj 1918, me ideolog Hasan Prishtinën dhe kryetar, Hoxhë Kadri Prishtinën, Lëvizja Kaçake, Konferenca e Bujanit dhe Lidhja e dytë e Prizrenit, demonstratat e viteve 68, 81, themelimi i LDK-së dhe pluralizmi politik, krijimi i institucioneve dhe shtetit paralel, demonstratat e 97-së, Lufta e UÇK-së, konferenca e Rambuje-së dhe ndërhyrja e NATO-s, janë rrjedha të ngjarjeve përgjatë periudhave të ndryshme kohore që çuan në momentin kulminant – shpalljen e pavarësisë”.

Aktin e shpalljes së pavarësisë, Hasani e konsideron si arritjen më të madhe të shqiptarëve, pas asaj të Shqipërisë me 1912, “por jo arritja maksimale për shkak se për momentin është shtypur ideja dhe kërkesa e shqiptarëve për bashkim me shtetin amë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore