Kosova

“Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët në 2 korrikun e vitit 1990”


Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca

Me rastin e 31-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, të premten u mbajt seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se 2 korriku ishte momenti kyç i shprehjes së vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës.

Konjufca tha se “17 shkurti i vitit 2008 i ka rrënjët në 2 korrikun e vitit 1990”.

“Pikërisht para dyerve të këtij Kuvendi, delegatët e atëhershëm miratuan Deklaratën e 2 korrikut”, tha ai, duke shtuar se vendi ishte i shtypur dhe nën masa të ashpra represive.

Ai u shpreh se mbi supet e delegatëve të atëhershëm peshonte aspirata e kamotshme e popullit të Kosovës për pavarësi.

Po ashtu, Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar 2 korrikun e 1990-s, kur ishte shpallur deklarata kushtetuese.

Osmani ka deklaruar se ky moment ishte historik për shtetin e Kosovës, duke kujtuar 114 delegatët që nënshkruan “vullnetin e pathyeshëm të qytetarëve për liri”.

“Është momenti që ta rikujtojmë mundin e delegatëve. Dua të kujtojë kontributin e delegateve gra, që kanë bërë sakrificë të pashoq, për vënien e themeleve të shtetit të Kosovës”, ka thënë ajo në Kuvend.

Osmani ka shtuar se shpallja e deklaratës kushtetuese të 2 korrikut ishte akt heroik dhe juridik, duke mos pranuar nënshtrimin ndaj shtypjes serbe. “Me shpalljen e 2 korrikut, delegatët i hapën udhë shtetësisë së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është njëra ndër ngjarjet përcaktuese dhe qartësisht orientuese që i paraprinte idesë fillimisht të trajtimit të barabartë të Kosovës si pjesë e federatës së RFJ-së.

Abdixhiku ka theksuar se “deklarata e miratuar nga delegatët e asaj kohe ishte edhe sot e kësaj dite mbetet si njëra ndër momentumet më të rëndësishme të artikulimit të vullnetit politik të një populli të shtypur dhe të diskriminuar ndër dekada”.

Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.

Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.

Ndryshe, në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata e 2 korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo deklaratë shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore