Lajme

Pas aksionit të Policisë në Veri, Departamenti amerikan i Shtetit bën thirrje për qetësi


Ilustrim

Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për qetësi. Kjo pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës ku Policia ndërmori një operacion kundër kontrabandës së mallrave.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për t’iu ndihmuar të gjitha palëve që të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve dhe ulje të tensioneve”, është thënë në përgjigje për REL.

Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim nga zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Eric Brassil, thuhet se “e gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit”.

Zyrtari amerikan ka bërë të ditur se ambasada amerikane është shqetësuar nga përgjigjet e serbeve lokal për mos respektim të zbatimit të Ligjit në territorin e shtetit të Kosovës.

Ilustrim

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga përgjigjet ndaj veprimeve të sotme të zbatimit të ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit. Ne bëjmë thirrje për qetësi”, ka thënë Brassil për AP.

Kurse, Aleanca veri-atlantike (NATO), aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave e sheh si “veprim për vendosjen e ligjit”, dhe se misioni i KFOR-it është në komunikim me autoritetet relevante.

“Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës. Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

Kështu ka thënë një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për AP-në duke shtuar se NATO “mbetet tërësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 nga viti 1999 dhe vazhdon të sigurojë ambient të qetë, të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Ilustrim

Në mëngjesin e së mërkurës në Veri të Mitrovicës, rreth orës 09:00 janë dëgjuar krisma në ajër, i është vënë flaka një veture, janë parë numër i madh policësh në rrugë e qytetarë më pas të grumbulluar duke sulmuar policinë.

Më pas është kuptuar se Policia e Kosovës ka filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka hasur në rezistencë të serbëve lokal.

Ata kanë sulmuar edhe Njësinë Speciale pasi që këta të fundit dalin nga një barnatore në të cilën kishin hyrë për të konfiskuar mallrat e kontrabanduar.

Nga ky aksion mbeten të lënduar 10 zyrtarë policorë.

Bazuar në njoftimin e PK-së, pas përfundimit të aksionit për kontrabandë janë arrestuar 8 persona. Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore