Lajme

Ambasada amerikane për Albanian Post: Dhuna në Veri e papranueshme, të zbatohet Ligji


Ilustrim

“E gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit”.

Kështu e ka komentuar për Albanian Post situatën në Veri të Kosovës pas aksionit të Policisë së Kosovës për parandalimin e kontrabandës së mallrave, zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Eric Brassil.

Zyrtari amerikan ka bërë të ditur se ambasada amerikane është shqetësuar nga përgjigjet e serbeve lokal për mos respektim të zbatimit të Ligjit në territorin e shtetit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga përgjigjet ndaj veprimeve të sotme të zbatimit të ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit. Ne bëjmë thirrje për qetësi”, ka thënë Brassil për AP.

Në mëngjesin e së mërkurës në Veri të Mitrovicës, rreth orës 09:00 janë dëgjuar krisma në ajër, i është vënë flaka një veture, janë parë numër i madh policësh në rrugë e qytetarë më pas të grumbulluar duke sulmuar policinë.

Më pas është kuptuar se Policia e Kosovës ka filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka hasur në rezistencë të serbëve lokal.

Ata kanë sulmuar edhe Njësinë Speciale pasi që këta të fundit dalin nga një barnatore në të cilën kishin hyrë për të konfiskuar mallrat e kontrabanduar.

Bazuar në njoftimin e PK-së, pas përfundimit të aksionit për kontrabandë janë arrestuar 8 persona dhe 6 të tjerë kanë pasur lëndime trupore, në mesin e tyre civil dhe zyrtarë policorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore