Lajme

Aksioni në Veri: 6 policë lëndohen nga granata e dorës, mes tyre edhe komandanti i Specialëve, Besart Ahmeti (VIDEO)


Sulmohet Policia e Kosoves gjate aksionit ne Veri

Aksioni i policisë në Veri të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave ka lënë gjashtë policë të lënduar.

Siç merr vesh Albanian Post, mes policëve të lënduar është edhe komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

Asnjë nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetë.

“Ata po trajtohen në spitalin e Mitrovicës së Jugut, derisa pritet të nisen për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, ka thënë burimi për AP-në.

Edhe Policia e Kosovës ka dalë me komunikatë për media, ku thuhet se policët mbetën të lënduar “si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë”.

“Deri më tani është raportuar se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb”, thuhet në komunikatën e policisë për media.

“Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”.

Besart Ahmeti

Gazetarja e Albanian Post, Blerta Ahmeti, nga vendi i ngjarjes ka treguar se pas përplasjes që kishte policia me protestuesit, jo zyrtarisht, mësohet se kanë mbetur të lënduar edhe disa protestues.

Serbët lokalë tashmë kanë bllokuar rrugën te Lagjja e Boshnjakëve, ku ndodhi edhe aksioni i policisë, qysh në orën 09:00 të mëngjesit.

Rruga është bllokuar me kamionë, njëjtë siç kishte ndodhur ditë më parë në pikat kufitare.

Raportohet gjithashtu se në drejtim të gazetarëve që po përcjellin ngjarjen janë hedhur mjete piroteknike.

 

Çka ndodhi në Veri?

Policia e Kosovës ndërmori një aksion për të konfiskuar mallra të kontrabanduar në gjithë Kosovën.

Pjesë e aksionit ishin edhe disa zona në Veri të vendit.

Por, gjatë aksionit atje, policia ka hasur në pengesa nga banorët e asaj zone, e cila jetohet kryesisht me serbë.

Ata madje edhe kanë sulmuar policët, me gurë granata dore e mjete të tjera.

Nga videot amatore janë parë dhe dëgjuar edhe të shtëna të shumta me armë zjarri.

 

Kurti: Aksioni i policisë përfundoi, grupet kriminale nuk do të tolerohen

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Për aksionin në Veri ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në llogarinë e tij në Facebook.

ka thënë se aksioni i policisë në Veri është bërë në kuadër të parandalimit të grupeve kriminale qe merren me kontrabandë.

“Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, shkruan Kurti.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

“Aksioni i sotëm policor ka përfunduar”, njofton ai, duke u bërë thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës “që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

 

Vuçiç niset për në bazën e Rashkës, afër kufirit me Kosovën – Thërret mbledhje urgjente

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Mediat serbe raportojnë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës, në kufi me Komunën e Leposaviçit, ku thuhet se do të takojë përfaqësuesit politikë të komunave serbe në Kosovë.

Ky takim, siç shkruajnë mediet e afërta me qeverinë e Serbisë, është takim urgjent i thirrur nga vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Pas skenave dramatike në Mitrovicë e Veriut dhe inkursionit të njësive speciale, që kulmuan me plagosjen e një serbi nga forcat speciale shqiptare, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vendosi të takohet urgjentisht me përfaqësuesit e popullit tonë në Kosovë”, shkruajnë mediet serbe.

Këtë mbledhje në bazën ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën, e konfirmoi Presidenca e Serbisë për agjensinë e lajmeve serbe Tanjug.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore