Lajme

Veriu i Kosovës: Aksion i policisë kundër kontrabandës, bllokim rruge, krisma në ajër dhe vetura të djegura (VIDEO)


Në mëngjesin e së mërkurës në Veri të Mitrovicës, rreth orës 09:00 janë dëgjuar krisma në ajër, i është vënë flaka një veture, janë parë numër i madh policësh në rrugë e qytetarë më pas të grumbulluar duke sulmuar policinë.

Më pas është kuptuar se Policia e Kosovës ka filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Një nga ndërhyrjet ka ndodhur në Mitrovicën Veriore në kryqëzimin midis Shkollës së Mesme Teknike “Mihailo Petroviç” dhe vendit të njohur si Lagjja e Boshnjakëve.

“Në orët e hershme të mëngjesit policia ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në komunikatën e policisë.

“Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor”.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.

Megjithatë, aksioni i policisë është kundërshtuar nga banorët atje, kryesisht serbë.

Ata edhe kanë dalur në rrugë për të bllokuar punën e policisë, derisa policia ka ndërhyrë edhe me gazë lotsjellës meqë fillloi të sulmohet nga turma e njerëzve.

Në anën tjetër protestuesit, siç njoftohet deri më tani, u kanë vënë flakën dy veturave – njëra ishte e Doganës së Kosovës dhe një tjetër veturë private.

Aksioni i policisë po vazhdon.

 

Reagon Petar Petkoviç

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, ka reaguar pas aksionit policor të Kosovës në nivel vendi në luftën kundër kontrabandës, që përfshiu Komunln e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, të cilin e quajti si “Provokimi i radhës nga Kurti”.

Ky zyrtar serb tha se e ka telefonuar të Dërguarin e Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për ta informuar për aksionin policor në Veri.

“Derisa ne po zgjidhim gjithçka përmes dialogut, Kurti dhe të tjerët po mundohen të zgjidhin gjërat me kriza në mënyrë që ta pushtojnë Veriun e Kosovës, që është obsesion i tyre”, deklaroi Petkoviç, raporton Tanjug.rs

Ai gjithashtu tha se ky veprim  “është i Albin Kurtit para kohës së zgjedhjeve”.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore