Sport

Partizani kundër Tiranës, kryeqyteti nën ethet e derbit


Partizani do të ketë përballë Tiranën për ndeshjen e javës së 33 në Kategorinë Superiore. Ndeshja do të luhet në “Air Albania” duke filluar nga ora 19:00. Kryesori i takimit do të jetë, Eldorian Hamiti, gjyqtari me stemën e FIFA.

Vendasit e Partizanit renditen në vendin e dytë të Kategorisë Superiore me 58 pikë, një pikë më pak se Teuta kryesuese. Tirana renditet në vendin e pestë me 53 pikë.

Të dy ekipet janë në garë për titullin kampion, pasi përveç sfidës përballë njëra-tjetrës, ekipet kanë edhe nga tre ndeshje të tjera për të luajtur. Partizani do të ndeshet në vazhim me Teutën, Vllazninë dhe Bylisin. Tirana do të ndeshet me Kukësin, Apoloninë dhe Skënderbeun.

Në takimin e të enjtes, Partizani erdhi pas barazimit me shifrat 1-1 në Korçë përballë Skënderbeut. Tirana erdhi pas fitores minimale 1-0 përballë Kastriotit në “Selman Stërmasi”. Ekipet vijnë nga ecuria pozitive, ku nuk njohin humbje në tetë ndeshjet e fundit.

Përballjet në tre fazat e para të Superiores për këtë sezon, midis Demave të Kuq dhe Bardhebluve kanë përfunduar në dy fitore për Partizanin (1-2 dhe 1-0) dhe një barazim pa gola.

Si ekip pritës, Partizani numëron 31 pike në 16 ndeshje. Tetë fitore, shtatë barazime dhe vetëm një humbje për Demat, që kanë shënuar 24 gola dhe kanë pësuar pesë.

Në krahun tjetër, Tirana si ekip udhëtues numëron 26 pikë në 16 ndeshje. Gjashtë fitore, tetë barazime dhe dy humbje për bardheblutë, të cilët kanë shënuar 17 gola dhe kanë pësuar 12.

Golashënuesit më të mirë të të dy ekipet kanë realizuar nga nëntë gola. Përkatësisht, Jasir Asani te Partizani dhe Idriz Batha te Tirana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore