Lajme

Paralajmërohet ndalimi i qarkullimit të kombi-busëve ilegalë nga Mitrovica dhe Vushtrria për në Prishtinë


Ilustrim.

Komuna e Mitrovicës, ka paralajmëruar se qarkullimi i kombi-busëve ilegalë ne relacionet Mitrovicë – Prishtinë dhe Vushtrri – Prishtinë do të ndalohet.

“Arsyeja e këtij takimi ishte ndërmarrja e masave për ndalimin e qarkullimit të kombi-busëve në relacionin Mitrovicë – Prishtinë dhe Vushtrri – Prishtinë, si dhe anasjelltas”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.

Ky vendim është diskutuar në një takim që patën me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policisë, ndërsa lajmi është bëri i ditur përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, të Komunës së Mitrovicës.

“Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Valon Brahimi, dhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava, sot kanë pritur në takim këshilltarë të ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtarë policor të Trafikut Rrugor, si dhe drejtoreshën e Inspekcionit në Komunën e Vushtrrisë, Shqiponje Hajdari Mikushnica”.

Takimi i zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policisë në Komunën e Mitrovicës.

Sipas njoftimit, nga ky takim u dakordua që të fillojë zbatimi i masave për ndalimin e qarkullimit të kombi-busëve.

Takim i radhës do të mbahet pas një muaji për të shikuar rezultatet konkrete në këtë drejtim.

Ndryshe, Shoqata e Autobusëve të regjionit të Mitrovicës dhe kombi-busëve në muajin gusht kishin shprehur shqetësimin e tyre lidhur me çështjen e transportit në linjat Prishtinë – Mitrovicë – Vushtrri për shkak të linjave të transportit ilegal që i shfrytëzojnë qytetarët.

Kërkesë e tyre, ishin që organet kompetente të marrin masa lidhur me problemin, pasi këta të fundit po i pengojnë në punën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore