Kosova

Paralajmërime për greva, Pupovci: SBASHK-u të mos na shantazhojë, greva dëmton nxënësit


Dukagjin Pupovci

Paralajmërimet për greva në sektorin e arsimit, sipas zëvendësministrit të Arsimit Dukagjin Pupovci, nuk janë asgjë tjetër vetëm dëmtim i procesit arsimor dhe se kërkesa e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nga 100 euro shtesë për çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave është shantazh i drejtpërdrejtë.

Për Pupovcin, SBASHK-u duhet të jetë më bashkëpunues, pasi që për hartimin e draftit final të Ligjit të Pagave në atë mënyrë që të gjendet një formulë e pranueshme për të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë merr kohë.

“Prandaj deri në aprovimin e Ligjit të pagave, pagat do të jenë këto që janë, sepse nuk mund të ndryshohen çdo ditë. Pastaj duhet të kemi parasysh që ne përveç 80 mijë punonjësve në sektorin publik, i kemi edhe rreth 250 mijë të tjerë në sektorin privat, edhe ata janë qytetarë të Kosovës. Dhe nga ky këndvështrim, besoj që është SBASHK-u ajo që duhet të tregojë pak më shumë mirëkuptim”, ka thënë Pupovci për Kosova Press.

Pupovci më tej ka folur edhe për vendimin e Kushtetueses që i dha të drejtë Komunës së Kamenicës në lidhje me organizimin e mësimit alternativ nga ana e MASHTI-t duke shtuar se ata asnjëherë nuk e kanë kontestuar reformën në arsim, por kërkonin zgjidhje për nxënësit që kishin muaj pa ndjekur mësime e që Komuna e Kamenicës nuk ofronte zgjidhje.

“Meqë nuk ka pasur përgjigje pozitive atëherë ministria ka marrë një vendim të tillë, dhe ajo që ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese është faktikisht ligjshmëria e këtij vendimi, se me këtë vendim është ndërhyrë në kompetencat e Komunës”, deklaroi Pupovci.

Momente nga protesta e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës

Ndryshe, SBASHK-u në koordinim me disa sindikata të tjerë kanë protestuar duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me mos-miratimin e Ligjit të Pagave, kështu duke kërkuar që shteti të japë nga 100 euro për çdo muaj deri në miratimin e këtij ligji.

SBASHKU, gjatë protestës kishte paralajmëruar edhe greva prej datës 20 prill, në rast se kërkesat e tyre nuk do të merreshin parasysh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore