Libra

Paditet Mariah Carey, nga i vëllai Morgan Carey


Vëllai i Mariah Carey, Morgan Carey, ka ngritur një padi kundër saj në gjykatën supreme të New York-ut, duke pretenduar se këngëtarja ka bërë “shpifje dhe shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional” në librin e saj “The meaning of Mariah Carey”, shkruan The Guardian, transmeton Albanian Post.

Morgan, është anëtari i dytë i familjes Carey, që e padit atë mbi librin, pasi që edhe motra e tyre Mariah Alison, e ka paditur atë duke e përshkruar përmbajtjen e librit si “mizore dhe të egër”.

Veprimi i Morgan bën thirrje për pagimin e dëmeve të paspecifikuara, dhe gjithashtu një gjykim të drejt gjyqësor ngase sipas tij “kujtimet” që Mariah ka shkruar përmbajnë “shpifje dhe janë super false”.

Gjithashtu, ai pretendon se libri i shkaktoi  “dëm serioz reputacionit dhe çështjeve të tij personale, si dhe atyre të biznesit” dhe po ashtu e ka bërë atë të përjetojë “ankth ekstrem mendor”.

Madje libri në fjalë, sipas Morgan, ka ndikuar negativisht edhe në negociatat për një film artistik që ai ishte duke i zhvilluar.

Në librin e saj “The meaning of Mariah Carey”, artistja përshkruan një luftë të dhunshme midis Morgan dhe babait të tyre, duke shkruar – “Unë isha dëshmitare e mundësisë që një anëtar i familjes sime të vdiste brutalisht para syve të mi”.

Morgan thotë se “ky portretizim i ngatërruar i cili përfshin një akuzë racore në mes të dy meshkujve të ”zinj” të përfshirë në një luftë fizike nuk ka ndodhur kurrë”.

Tutje, ai akuzon Mariah për përpjekjen për “të luajtur rolin e viktimës në favor të imazhit të saj publik, duke e përkrahur lëvizjen Black Lives Matter”.

Në libër, Mariah, gjithashtu pretendon se Morgan abuzoi fizikisht me nënën e tyre, gjë që ai thotë se është “një gënjeshtër dhe shpifje katastrofale”.

Ajo gjithashtu e përshkruan Morgan, si një person “që ishte në gjendje të bënte gjithçka për para, madje edhe të vriste”.

Mes tjerash, Mariah Carey, ka shkruar detaje mbi rastin e vitit 1980, se si një e njohur e familjes, Virginia Carole Maddox, i kishte dhuruar një paradhënie prej 1 mijë e 200 dollarësh amerikanë, vëllait të saj, në mënyrë që ky i fundit ta vriste burrin e saj.

Morgan gjithashtu hedh poshtë përshkrimin e Mariah që u shpreh se ai ishte një “vëlla nganjëherë tregtar droge, e shpeshherë i dehur”.

Ai gjithashtu u shpreh se këngëtarja nuk ishte konsultuar me të para botimit të librit, dhe se gjithçka rreth këtij libri ishte surprizë edhe për familjen ashtu si për publikun.

Tutje, veprimi ligjor pason me një paraqitje të ngjashme me motrën e tij, Alison, e cila akuzoi Mariah për librin e saj duke e quajtur botimin si “poshtërim publik e të pashpirt, të egër, hakmarrës, të përçmuar dhe krejt të panevojshëm”.

Në librin që bëri bujë, Mariah tregon se si motra e saj, Alison, e la atë me djegie të shkallës së tretë pasi ajo hodhi një filxhan çaji të nxehtë në shpinën e këngëtares, i ofroi drogë dhe e qetësoi atë me Valium.

Mariah gjithashtu ka shkruar se Alison e la atë në një pozitë të pa lakmueshme kur ishte 12 vjeçe, me të dashurin e Alison, i cili sipas saj u përpoq ta puthte.

“Motrat e mëdha supozohet se ju mbrojnë – jo të ju shesin “, shkruan Mariah.

Mariah Carey akoma nuk ka komentuar asnjë nga proceset gjyqësore.

The meaning of Mariah Carey – i shkruar në bashkëpunim me Michaela Angela Davis, u admirua pafund nga kritikët menjëherë pas botimit të tij.

New Yorker e përshkroi atë si “tërheqës, zbavitës, mbresëlënës e të shkruar mirë”, kurse Rolling Stone e quajti atë një “Një divë e ndezur e popit, epike dhe klasike, Mariah Carey”.

Mariah Carey ka shkruar edhe për burrin e saj të parë, Tommy Mottola, të cilin e ka përshkruar si shumë kontrollues. Madje, ajo e krahason martesën e tyre me burgun e sigurisë maksimale “Sing Sing”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore