Lajme

Pacolli – Kurtit: Nuk janë hapur 10 mijë vende pune, as s’ka rritje ekonomike


Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli i ka reaguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës, se për nëntë muaj të qeverisjes së tij në Kosovë janë regjistruar 10 mijë vende pune të reja dhe se vendi ka pasur rritje ekonomike 10 për qind.

Ish presidenti i Kosovës, Pacolli ka deklaruar se as nuk janë hapur 10 mijë vende pune e as nuk ka rritje ekonomike mbi 10 për qind, duke pyetur kryeministrin se ku janë hapur ato vende dhe kush është punësuar në to?

“Është e pabesueshme që me ‘reformat e qeverisë’ të janë hapur 10 mijë vende të reja pune në Kosovë. Ku janë ato vende, kur dhe kush është punësuar?”.

Behxhet Pacolli – President i Aleancës Kosova e Re (AKR).

“Qëndron fakti se shumë punëtorë të larguar nga puna për shkak të pandemisë, këtë vit pjesërisht janë ri integruar dhe shumë prej tyre janë larguar nga Kosova duke u punësuar në Kroaci e gjetiu”, ka shkruar Pacolli.

Kurse sa i përket rritjes ekonomike, ai ka shkruar se nuk ka pasur rritje të të hyrave për qytetarët, nuk ka pasur as rritje të mesatares së konsumit, as nuk ka pasur investime infrastrukturore, as nuk ka pasur ngritje të subjekteve të reja ekonomike.

“Shporta e konsumatorit është e njëjtë si në vitin 2019”, duke shtuar se “Tani (këtë vit) nuk ka pasur ASNJË investim infrastrukturorë të financuar nga kapitali vendor apo i huaj) të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetës dhe standardit të jetesës së qytetarëve”.

“Nuk patëm ngritje të subjekteve të reja ekonomike që rriten listën e produkteve dhe shërbimeve vendore në krahasim me ato të vitit 2019”, ka shkruar ai.

Pacolli thotë se Kosova s’ka kursime e qëndrueshmëri ekonomike, andaj po ndodh e kundërta që pretendohet, “qytetarët vazhdojnë te ikin nga Kosova”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social Facebook, duke i dhënë kritika Qeverisë dhe deklarimeve të kryeministrit.

Kryeministri Kurti gjatë intervistës kishte deklaruar se janë “regjistruar diku rreth 10 mijë vende të reja pune”.

“Rritja ekonomike do të jetë dyshifrore, është interesant që tremujori i dytë i këtij viti kishte rritjen ekonomike 16.3 për qind ndërkaq tremujori i tretë i kishte 14.5 për qind”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore