Lajme

Pacolli: Kosova të jetë pjesë e “Open Ballkan”, është nismë që s’mund ta ndalë askush


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe kreu i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe kreu i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se për të ndaluar bllokadën ekonomike ose politike në vend, duhet që të bëhemi pjesë e nismës rajonale, “Open Ballkan”.

“Kosova nuk duhet t’i lejojë vetëm të hyjë në ndonjë bllokadë ekonomike ose politike. Kosova duhet të ecë përpara sepse është më e dobishme. Kosova nuk duhet të jetë e përjashtuar askund. Në çdo nismë qoftë evropiane Kosova duhet të jetë pjesë e saj. Ballkani i Hapur është nismë pro evropiane”, deklaroi Pacolli.

Sipas tij, Ballkanin e Hapur nuk mund ta ndalë asnjë vend.

“Jam pro asaj që Kosova të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ballkani i Hapur është realitet nuk do të mund ta ndalë as Kosova as Mali i zi as askush. Kjo do të ecë përpara me ose pa ne sepse ka mbështetje të BE-së dhe Amerikës”.

Ndërsa, është shprehur i bindur se Kosova ka nevojë që të thellojë bashkëpunimin me shumë vende të botës, e specifikisht me Shqipërinë.

“Kosovës i nevojiten shumë ambasadorë në shumë vende. Kosovë i nevojitet bashkëveprim dhe bashkëpunim me Shqipërinë. Një bashkëpunim ndërmjet shteteve tona nuk shihet dhe po e dëmton Kosovën”, tha Pacolli për agjencinë e lajmeve, Ekonomia Online.

Ballkani i Hapur.

Ai konsideron që, “mos dërgimi i ambasadoreve me kohë e ka dëmtuar Kosovën. Jam i bindur së këta ambasador që janë dërguar tani do të punojnë dhe kohën e munguar ta rikuperojnë”.

Po ashtu, thotë se nuk do të ndalet së punuari që Kosovës t’i sjellë njohje nga shumë vende të botës.

“Unë nuk jam ndalur dhe jam nëpër botë dhe flas për Kosovën. Ardhja e këtij delegacioni vjen mbas një takimi që kam pasur me presidentin e këtij shteti në Stamboll dhe Kosova të njihet prej këtij shteti”.

Më katër janar, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka deklaruar se nisma rajonale e quajtur “Open Ballkan”, nuk do të jetë e plotë nëse në të nuk janë të kyçura të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini- Shengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore